Futboll

Video/ Tjetër shuplakë për Vllazninë, Teuta dhe Laçi janë për titull

Java e 22-të e Superiores e ka futur garën në një fazë shumë interesante dhe intriguese sa i takon titullit kampion. Vllaznia ka pësuar një tjetër humbje, duke komplikuar jo vetëm kreun, por edhe qëndrimin në zonën europiane, pasi po ndjen dihatjen e tre rivalëve të saj, Laçit, Teutës dhe Partizanit.

Një gol i Dejvi Bregut i ka dhënë vendin e dytë Teutës dhe i ka shkaktuar humbjen e dytë radhazi Vllaznisë, e treta në pesë ndeshjet e fundit. Në stadiumin “Niko Dovana” ka triumfuar skuadra e trajnerit shkodran, Edi Martini, tashmë vetëm 1 pikë larg vendit të parë. Sulmuesi vlonjat goditi bukur në hyrje të zonës, duke shënuar golin trepikësh për Teutën, që fut Vllazninë në krizë.

Në “Elbasan Arena”, Kukësi është mundur 1-2 nga Laçi që mban vendin e tretë, me pikë të barabarta me Teutën. Por kjo ndeshje ka pasur shumë polemika nga kuksianët, pasi penalltia që i ka dha fitoren skudrës së Duros, sipas tyre, nuk ekziston, sepse faulli është jashtë zone.

Musta kaloi Laçin në avantazh pas 3 minutash lojë, Eze barazoi në të dytën dhe më pas erdhi penalltia e kontestuar në favor të kurbinasve, që Regi Lushkja e ktheu në gol. Edhe Laçi, ashtu si Teuta, konfirmon pretendimet për titullin kampion.

Më parë Partizani u ndal në Fier dhe tashmë e sheh veten në vend të katërt, por 2 pikë pas kreut, kurse Tirana është ngjitur në vend të 5-të, pasi ka parakaluar Kukësin. Renditja kryesohet nga Vllaznia me 41 pikë edhe pas javës së 22-të, por tashmë skuadra shkodrane rrezikon shumë. Në fundin e tabelës, Skënderbeu duket me një këmbë në Kategorinë e Parë.

Superiore, java e 22-të
Sot
Apolonia-Partizani 1-1
Tirana-Bylis 2-0
Skënderbeu-Kastrioti 0-1
Kukësi-Laçi 1-2
Teuta-Vllaznia 1-0

Renditja e Superiores pas javës së 22-të. Gazeta Si, 3 mars 2021

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë