Kreu i Premier Ligës është një duel derbi mes dy Mançesterëve, ku Junajtid ka 40 pikë dhe “qytetetarët” 38. Mançester Siti qëndroi në vend të parë pak më shumë se dy orë, pas fitores 2-0 ndaj Aston Vilës, më pas Junajtid e parakaloi pas fitores 1-2 në Londër ndaj Fulhemit.
Për herë të parë këtë sezon skuadra e Guardiolës e pa veten në krye të Premier Ligës, por festa zgjati shumë pak, vetëm 2 orë. Ishte suksesi i 6-të radhazi për Sitin ai ndaj Aston Vilës. Nën një shi të dendur, u luajt një ndeshje shumë e fortë, me Aston Vilën që nuk luante prej datës 1 janar, pasi u bë vatër e Covid-19. Ruben Dias shpëtoi portën e Sitit, kur rezultati ishte 0-0. Bernardo Silva zhbllokoi rezultatin në të 79-ën me një të majtë perfekte. Skuadra e Guardiolës bëri 28 gjuajtje në total, goditi edhe traversën me Kanselon, ndërsa në fund Gundogan dyfishoi me penallti.
Por Mançester Junajtid reagoi shpejt dhe nuk gaboi në “Craven Cottage”, ku skuadra e Solskjaer regjistroi rezultatin e 13-të pozitiv radhazi në kampionat. Ishte një fitore e vuajtur në fakt ajo ndaj Fulhemit, por shumë e rëndësishme. Ekipi vendës kaloi në avantazh pas 5 minutash dhe në pjesën e dytë pati disa raste për të barazuar.
Diferencën e bëri goli kryevepër i Pogbasë në minutën e 65-të, pasi Kavani kishte barazuar. Kavani kishte një tjetër rast për të shënuar golin e tretë, ndërsa De Gea i mohoi barazimin Loftus-Çik, duke e larguar topin me këmbë. Drithërima në momentet e fundit, kur Fulhemi shpërdoroi edhe dy mundësi të mira për të marrë një pikë në këtë ndeshje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.