Që humbja në derbi do të kishte pasoja për Tiranën, ishte e qartë. Por që situata të precipitonte në mënyrë të tillë, nuk pritej. Përplasje president-trajner për formacionin, që sjell largimin e të dytit dhe pastaj një humbje turpëruese në shtëpi me Laçin, 0-1. Një skuadër dhe një klub në krizë të thellë identiteti, plot 16 pikë larg vendit të parë.
Ndeshjen me Laçin e ka vendosur një gol i bukur i shënuar nga Mentor Mazrekaj me goditje dënimi. Të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro marrin 3 pikë të çmuara në transfertë, ndërsa Tirana po dështon në të gjitha aspektet deri tani, kur ka mbetur edhe pa trajner. Sigurisht, situata që u krijua para ndeshjes, kur Nevil Dede la stadiumin pas përplasjes me presidentin Halili, është reflektuar në fushën e blertë.
Tefik Osmani ishte ai që drejtoi skuadrën në këtë ndeshje, ku kampionët në fuqi morën goditjen e radhës, por shumë më të fortë se thjesht një humbje. Dikush mund të thotë se Tirana po lan “haqet” e ish-trajnerit Emanuel Egbo, i cili e shpalli kampion dhe u largua në fillim të sezonit padrejtësisht… Fakt është që Tirana, në 16 javë, ka larguar dy trajnerë dhe kërkon të tretin, por tashmë i duhet të luftojë për të shpëtuar sezonin me një vend në kupat e Europës, titullin e ka dorëzuar shumë shpejt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.