Ronaldo është kthyer te goli pas 3 ndeshjesh, ai ka realizuar 2 herë për 8 minuta në fitoren 3-0 ndaj Krotones, që është “viktima” e 78-të në karrierë e portugezit. Juventusi ngjitet kështu në vend të tretë, duke parakaluar Romën dhe Atalantën.
Golin e tretë në “Juventus Stadium” e ka shënuar amerikani MekKenni. Krotone, mbrojtja më e dobët e kampionatit, me 55 gola të pësuar, e kishte të pamundur të rezistonte. Me një ndeshje më pak dhe 45 pikë, Juventusi sheh përpara vetëm Milanin dhe Interin, përkatësisht 4 dhe 8 pikë larg.
Pa Dibalën, Kuadradon, Bonuçin, Kielinin, Arturin dhe Rabiot, si dhe me Moratën në stol, skuadra e Pirlos nuk e pati të vështirë ta zgjidhte këtë ndeshje. Portieri Kordaz devijoi fillimisht një gjuajtje të Ronaldos dhe pastaj të Ramseit, por u mposht me kokë nga portugezi në të 38-ën, pas krosit të Aleks Sandros. VAR-i konfirmon golin e CR7, që më pas dyfishon sërish me kokë. Në pjesën e dytë realizon edhe MekKeni.
Juventusi ka arritur me sforco minimale një rezultat të mirë, që i ka dhënë vendin e tretë. Milani dhe Interi janë të paralajmëruar tashmë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.