Juventusi bën të vetin trofeun e parë sezonal, Superkupën e Italisë, pasi mundi Napolin 2-0 në “Mapei Stadium”. Pas disa ndeshjesh jo të mira, ylli portugez Kristiano Roanldo nuk mund të gabonte në një finale, specialitetin e tij, por në fitoren e Juventusit luajti një rol të rëndësishëm edhe portieri Shezni me pritjet e tij. Pirlo fiton kështu trofeun e parë si trajner.
Ronaldo arriti të zhbllokonte shifrat 19 minuta pas nisjes së pjesës së dytë, kur u gjend në vendin e duhur, në kohën e duhur, për ta çuar topin në rrjetë nga shumë afër portës. Momenti kyç i ndeshjes ishte ai i minutës së 80-të, kur kapiteni i Napolit, Lorenco Insinje, gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, duke e dërguar topin jashtë. Penalltia për Napolin u akordua nga VAR-i, pas një ndërhyrjeje të MekKenit ndaj Mertensit. Ishte shansi i artë për të barazuar rezultatin.
Llogaritë i mbylli spanjolli Alvaro Morata në kohën shtesë, duke shënuar edhe golin e dytë. Juventusi “ngushëllohet” kështu me trofeun e Superkupës, pas hunbjes turpëruese të pak ditëve më parë me Interin në kampionat. Elseid Hysaj dhe Amir Rrahmani e ndoqën ndeshjen nga stoli dhe nuk u aktivizuan as si zëvendësues nga trajneri Gatuzo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.