Futboll

Video/ Ringjallet Kukësi, Vllaznia rrezikon të dalë jashtë 4-shes së parë

Vllaznia komplikon së tepërmi pozitat në kampionat. Skuadra shkodrane është mundur 3-1 sot në “Elbasan Arena” nga Kukësi, që vinte pas tri humbjeve radhazi. Skuadra e Mirel Josës nuk ka lëshuar aspak në këtë ndeshje, duke shënuar 3 gola për të marrë 3 pikët që e ngjitin në kuotën e 39 pikëve, por që e lënë sërish larg vendeve të kreut.

Patrik Eze realizoi shumë shpejt për Kukësin, ndërsa Gjelbrim Taipi dyfishoi me penallti brenda pjesës së parë. Ardit Hoxhaj rihapi ndeshjen për Vllazninë po me penallti në fillim të pjesës së dytë, por Zenel Gavazaj “vulosi” rezultatin në 3-1 në kohën shtesë.

Një humbje që djeg shumë për Vllazninë dhe që rrezikon ta nxjerrë atë jashtë 4-shes së parë të Superiores, që shkon në kupat e Europës. Shkodranët kanë edhe “kartën” e Kupës së Shqipërisë për të shkuar në Europë, por duhet të fitojnë patjetër finalen me Skënderbeun.

Nëse Laçi dhe Tirana fitojnë në ndeshjet e tyre të javës së 32-të, Vllaznia, që mban vendin e tretë, mund të humbë terren në renditje. Tashmë shpresat e titullit kampion janë pakësuar ndjeshëm në kampin shkodran.

Superiore, java e 32-të
Sot
Kukësi-Vllaznia 3-1
Të shtunën
Tirana-Kastrioti
Skënderbeu-Partizani
Apolonia-Laçi
Teuta-Bylis

Renditja e Superiores. Gazeta Si, 7 maj 2021

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë