Futboll

Video/ Reali trondit “Camp Nou”-n me 3 gola, merr kryesimin e La Ligës

Real Madrid fiton 1-3 në “Camp Nou” dhe merr kryesimin e kampionatit në Spanjë. Madrilenët bënë një ndeshje të madhe, duke e merituar plotësisht fitoren. Valverde, Ramos dhe Modriç realizuan 3 golat për të besuarit e Zidan, i cili tashmë mund të marrë frymë lirisht. Reali kryeson renditjen me 13 pikë.

Kapiteni Ramos feston golin. Gazeta Si, 24 tetor 2020

“El Clasico” nisi me marsh të pestë. Vetëm pas 5 minutash lojë, Valverde zhbllokoi shifrat pas një kundërsulmi të shpejtë të Realit me Benzema. Por festa madrilene u shua shpejt, sepse Barcelona barazoi me Ansu Fatin, i cili devijoi në rrjetë një top të ardhur nga e majta nga Zhordi Alba. Loja vazhdoi me ritëm të lartë, pasime të sakta dhe gjuajtje drejt portës, ku Kurtua dhe Neto bënë shpëtimtarin në disa raste.

Reali rigjeti avantazhin me penallti të fituar nga kapiteni Serxho Ramos dhe të akorduar nga VAR-i. Vetë Ramos nuk e fali këtë rast dhe e dërgoi topin në rrjetë nga pika e bardhë. Trajneri Koeman lëvizi nga stoli më 4 ndërrime, duke fuqizuar sulmin, por më e goditur rezultoi lëvizja e Zidan. Luka Modriç, i futur në fushë në pjesën e dytë, shënoi golin e tretë në minutën e fundit të kohës së rregullt, pasi vallëzoi bukur me topin në zonë.

https://youtu.be/0m61iBdpavo
Golat e ndeshjes Barcelona-Real Madrid 1-3. Gazeta Si, 24 tetor 2020

Një fitore e madhe, që për Realin mund të jetë pika e kthesës pas atyre rezultateve jo të mira, kurse për Barcelonën do të jetë e kundërta. Katalanasit kanë marrë një goditje të fortë psikologjike, që mund të shkaktojë një krizë të thellë. Kjo ishte humbja e dytë radhazi për Barcelonën, pas asaj me Getafen. Pas 5 ndeshjesh, skuadra e Koeman ka 7 pikë dhe mban vendin e 10-të. Trajneri holandez do të shigjetohet jo pak për lënien në stol të Grizman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë