Bota

Video / Përplasen dy trena në Ravena të Italisë, 17 pasagjerë të plagosur

Gazeta Si - Dy trena u përplasën përgjatë linjës hekurudhore Bolonja-Rimini, në zonën e Faenza (Ravena), midis Castel Bolognese dhe Forlìt, mbrëmjen e së dielës, 10 dhjetor. Sipas autoriteteve, bilanci i aksidentit është 17 persona të lënduar, asnjë në gjendje të rëndë.

Pasojat në trafikun hekurudhor janë të rënda me bllokime për pjesën më të madhe të natës dhe udhëtime të riplanifikuara, ku ka ndryshuar qarkullimi për shkak të trenave të anuluar dhe vonesave.

Trafiku në linjën e shpejtësisë së lartë është rikthyer në normalitet, ndonëse me vonesa, në mëngjesin e të hënës së 11 dhjetorit.

Megjithatë, trafiku midis Forlì dhe Faenza mbetet i pezulluar: trenat rajonalë mund të jenë subjekt i anulimeve dhe kufizimeve të rrugës, paralajmëruan autoritetet lokale.

Pas aksidentit, zjarrfikësit ndërhynë përgjatë shinave, me ekipe nga Ravenna dhe Forlì dhe policia hekurudhore: "Shkaktarët e aksidentit po hetohen", shpjegoi “Trenitalia”.

Pasagjerët – thuhet në të njëjtë komunikatë - "janë nën kujdesin e duhur dhe po punohet për asistencën e tyre".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë