Futboll

Video/ Partizani s’fal ndaj Bylisit, Tirana fitore me dedikim për Vangjelin

Asistin që mori dje nga Laçi Partizani e ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë sot në Ballsh, ku fitoi 1-2 dhe tashmë kreu është 6 pikë larg. Të kuqtë kanë kaluar me sukses një ndeshje, që mund të kishte marrë një rrjedhë tjetër, nëse Bylisi do të shënonte nga pika e bardhë e penalltisë në pjesën e parë.

Kapiteni Alban Hoxha mbajti ekipin e tij në lojë, duke pritur gjuajtjen e Kojiç. Kryesori Enea Jorgji do të akordonte një penallti edhe për Partizanin në pjesën e dytë dhe Çinari realizoi golin e avantazhit. Portieri Qirko kuptoi krahun, por pa mundur ta ndalte topin të shkonte drejt rrjetës. Tedi Cara dyfishoi rezultatin për Partizanin, pas një veprimi individual brenda zonës. Bylisi mbeti me 10 vetë, pasi Ymeraliaj u ndëshkua me të kuq, por gjeti forca për të shënuar golin e nderit.

Tirana e pati shumë të lehtë ndaj Skënderbeut në “Selman Stermasi”, ku llogaritë u mbyllën në pak minuta në pjesën e parë. Taulant Seferi dhe Hoxhallari shënuan golat e fitores për bardheblutë. Ata ia kanë dedikuar këtë fitore mbrojtësit Kristi Vangjeli, i cili pak ditë më parë humbi vëllanë e tij, Pavli Vangjeli.

Me Orges Shehin në krye kryeqytetasit kanë marrë 6 pikë në 2 ndeshje. Kampionët janë ngjitur në kuotën e 26 pikëve, por sërish janë larg kreut. Për Skënderbeun nuk ndryshon asgjë edhe pas lëvizjes në stol, ku Memelli ka debutuar me humbje.

Teuta ka mundur 1-0 Apoloninë, falë një goli të mbrojtësit Rustem Hoxha çerek ore para fundit të ndeshjes. Durrsakët i bashkohen Laçit në kuotën e 30 pikëve. Renditja kryesohet nga Vllaznia me 37 pikë, e ndjekur nga Partizani me 31. Laçi vetëm pak orë qëndroi në vend të dytë, pasi u parakalua nga të kuqtë. Skënderbeu, Apolonia dhe Bylisi mbyllin tabelën e klasifikimit.

Superiore, java e 18-të
Sot
Bylis-Partizani 1-2
Tirana-Skënderbeu 2-0
Teuta-Apolonia 1-0
Nesër
Kukësi-Kastrioti
Dje
Vllaznia-Laçi 1-2

Tabela e renditjes së Superiores. Gazeta Si, 6 shkurt 2021

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë