Futboll

Video/ Milani vuan sërish ndaj serbëve, eliminime surprizë në Ligën e Europës

Emra të njohur të futbollit europian kanë dalë nga skena shumë shpejt në Ligën e Europës. Janë eliminuar që në fazën e 1/16-ave skuadra me shumë përvojë në kompeticionet europiane, si Benfika, PSV, Napoli, Bajer Leverkuseni, Hofenheimi, Lila dhe Leiçesteri e ndonjë tjetër.

Napoli i Elseid Hysajt (mungoi për dëmtim), edhe pse fitoi 2-1 ndaj Granadës, u elimninua pasi ishte mundur 2-0 nga skuadra spanjolle, që e nisi rrugëtimin e saj nga Durrësi. Eliminim surprizë ishte ai i gjermanëve Hofenheimit, që u mundën 0-2 nga Molde. Surprizë ishte gjithashtu kualifikimi i Sllavias së Pragës ndaj anglezëve të Leiçesterit.

Milani edhe në “San Siro” nuk ka mundur të fitojë ndaj Crvena Zvezdës së Dejan Stankoviç, por barazimi 1-1 e ka kualifikuar për në turin tjetër, pasi favorizohet nga barazimi 2-2 në Beograd. Kesi shënoi me një penallti të akorduar nga VAR-i për kuqezinjtë pas 9 minutash lojë, por serbët barazuan që në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë në fushë u futën edhe Ibrahimoviç, Rebiç dhe Teo Hernandez, por goli i fitores nuk doli në dritë. Miqtë, që në 20 minutat e fundit luajtën me 10 vetë, ashtu si në Beograd, ishin afër golit të fitores. Një tjetër ndeshje, ku Milani vërtetoi se ka një rënie të theksuar në lojën e tij, megjithatë ngushëllohet me kualifikimin.

Liga e Europës, faza e 1/16-ve
AJAKS-Lilë 2-1
ARSENAL-Benfika 3-2
Hofenheim-MOLDE 0-2
Napoli-GRANADA 2-1
REJNXHËRS-Antverp 5-2
SHAKHTAR-Makabi Tel Aviv 1-0
VILARREAL-Salcburg 2-1
MILAN-Crvena Zvezda 1-1
ROMA-Braga 3-1
Bajer Leverkusen-JANG BOJS 0-2
Bryzh-DINAMO KIEV 0-1
D.ZAGREB-Krasnodar 1-0
Leiçester-SLLAVIA Pragë 0-2
MANÇESTER J.-Real Sociedad 0-0
Psv-OLIMPIAKOS 2-1
Dje
TOTENHEM-Volfsberger 4-0
Shënim: Me kapitale skuadrat e kualifikuara në fazën e 1/8-ve


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë