Futboll

Video/ Milani fiton pas 2 humbjesh radhazi, largon Romën nga zona Champions

Pas dy humbjeve radhazi në kampionat, ndaj Specias dhe Interit në derbi, Milani është kthyer te fitorja, pasi ka mundur Romën në transfertë, 1-2. Këtë herë u duk Milani i disa javëve më përpara, shumë më ndryshe nga dy ndeshjet e fundit. Një fitore e rëndësishme kjo për të “blinduar” vendin e dytë dhe për të mbajtur kontaktet me Interin kryesues që ka 56 pikë, kurse kuqezinjtë 52.

Milani e dominoi krejtësisht pjesën e parë, duke krijuar disa raste për gol që në fillim. Kuqezinjve iu anuluan dy gola, ndërsa mbrojtësi Kjaer goditi traversën e portës së Romës. Gjithsesi, skuadra e Piolit do të kalonte në avantazh me një penallti të akorduar nga VAR-i, pas një kontakti të Facios me Kalabrian. Frenk Kesi nuk gaboi nga pika e bardhë.

Ibrahimoviç nuk mundi ta gjente rrugën e rrjetës në këtë ndeshje, ku shpërdoroi një mundësi të artë dhe në pjesën e dytë ia la vendin Leaos. Roma barazoi me Veretu, por gëzimi i skuadrës vendëse zgjati vetëm pak, sepse Rebiç e riktheu Milanin në avantazh, duke shënuar golin e fitores. Pas kësaj humbjeje, Roma ka zbritur në vend të 5-të, duke dalë jashtë zonës së Championsit.

Nga futbollistët e Kombëtares që luajnë në Itali, këtë javë luajti titullar vetëm Ardjan Ismajli në barazimin 2-2 të Specias ndaj Parmës. Hysaj u fut në 5 minutat e fundit të ndeshjes mes Napolit dhe Beneventos, ndërsa Kumbulla qëndroi në stol gjithë kohën ndaj Milanit. Gjimshiti mungoi për Atalantën për shkak se ishte i skualifikuar me kartonë.

Seria A, java e 24-t
Sot
Sampdoria-Atalanta 0-2
Krotone-Kaljari 0-2
Inter-Xhenoa 3-0
Udineze-Fiorentina 1-0
Napoli-Benevento 2-0
Roma-Milan 1-2
Të shtunën
Bolonja-Lacio 2-0
Specia-Parma 2-2
Verona-Juventus 1-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë