Faza e 1/8-ve në Ligën e Kampionëve ka nisur me shpërfytyrimin e Barcelonës në shtëpinë e saj. Në “Camp Nou” ishte Kilian Mbape ai që bëri Mesin, duke shënuar tri herë në portën e Ter Shtegen dhe PSG-ja, pas fitores 1-4, kalimin në çerekfinale e ka formalitet.
Barcelona fitoi një penallti shumë të dyshimtë me anë të De Jong, të cilën Mesi e ktheu në gol, por ishte vetëm një episod i shkëputur, sepse gjithçka më pas foli për miqtë, të cilët bënë përmbysjen me 4 gola. Kilian Mbape barazoi shifrat brenda pak minutash, ndërsa në pjesën e dytë ai i dha një tjetër goditje skuadrës katalanase me golin e dytë.
Skuadra e drejtuar nga Koeman nuk pati forcë të reagonte dhe pësoi edhe një tjetër gol nga Kean. Sulmuesi italian realizoi me kokë pas një krosi në zonë nga një goditjeje dënimi. Goditjen fatale ekipit katalanas ia dha sërish Mbape me golin e katërt, që lë shanse minimale për ndeshjen e kthimit. Futbolli që luan aktualisht Barcelona nuk jep shpresë për ndonjë përmbysje të madhe në Paris.
Liverpuli e zgjidhi ndeshjen e luajtur në “Pushkash Arena”, në Hungari, në pjesën e dytë. Në fillim ishte Salah ai që realizoi golin e avantazhit dhe pas tij Sadio Mane. Të dy sulmuesit e skuadrës së Jurgen Klop përfituan nga dy gabime në mbrojtje të Lajpcigut.
Në pjesën e parë ekipit anglez iu anulua edhe një gol i Firminos. Pavarësisht mungesave të shumta, Liverpuli ka treguar se në Champions është një tjetër muzikë dhe përvoja që ka në këtë kompeticion e bën pretendent për trofeun.
Liga e Kampionëve, 1/8-t
Barcelona-PSG 1-4
Lajpcig-Liverpul 0-2
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.