Europa League ka shënuar rikthimin e futbollit ndërkombëtar. Inter, Manchester United, Copenhagen dhe Shakhtar Donetsk janë katër ekipet e para çerekfinaliste të këtij sezoni. Interi mundi Getafen 2-0 në ndeshjen e vetme mes këtyre dy skuadrave në fazën e 1/8-tës. Zikaltërit shënuan nga një gol për pjesë në “Veltins Arena”, stadiumin e Schalke 04, dhe u kualifikua në çerekfinalet e Europa League, aty ku do të përballet me fituesin e çiftit Bayer Leverkusen-Rangers.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë dhe me dy fytyra, pasi fillimi i takoi klubit spanjoll, ndërsa vazhdimi i takoi Interit, që gjeti edhe golin. Goli i vetëm për pjesën në pjesën e parë erdhi në minutën e 33-të dhe ishte Romelu Lukaku, i cili mori një asist nga Bastoni dhe mposhti portierin e skuadrës madrilene me një diagonale të saktë.
Në pjesën e dytë, Zikaltërit ishin më të mirë dhe më kërkues, por nuk e patën fitoren në duar në asnjë moment të ndeshjes deri në fund. Mundësinë më të mirë për të shënuar Getafe e pati në minutën e 75-të, kur pas një krosimi në zonë, Godin largoi topin me dorë dhe arbitri akordoi 11-metërsh me ndihmën e VAR-it. Nga pika e penalltisë shkoi sulmuesi veteran Jorge Molina, i cili gjuajti jashtë.
Goli i qetësisë erdhi shtatë minuta përpara fundit të ndeshjes. Inter shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë dhe arriti të gjej golin e dytë me anë të Christian Eriksen, i cili shënoi pas dy minutave që u inkuadrua në lojë. Ky gol vulosi “vrau” shpresat e spanjollëve, të cilët lëshuan jo pak në lojën e tyre.
Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Manchester United mposhti 2-1 në “Old Trafford” austriakët e LASK Linz. Skuadra e Solskjaer kishte fituar 5-0 ndeshjen e vajtjes dhe tani do të përballen me Copenhagen në çerekfinale. Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë. Miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 55-të me anë të Weisinger, por vetëm pak minuta më vonë Jese Lingard barazoi rezultatin, ndërsa në të 88-ën francezi Anthony Martial shënoi edhe golin e fitores.
Copenhagen përmbysi humbjen 1-0 të sfidës së pare ndaj İstanbul Başakşehir, duke triumfuar 3-0 ndaj ekipit turk. 3-0 u mbyll edhe ndeshja mes Shakhtar Donetsk dhe Wolfsburg, duke konfirmuar ukrainasit në çerekfinalet e turneut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.