Futboll

Video/ Levandovski “sqaron” egjiptianët”, çon Bajernin në finale

Trofeu i radhës duket në sfond. Bajerni i Mynihut ka mundur 2-0 në gjysmëfinalen e kupës së botës për klube egjiptianët e Al Ahli, duke u kualifikuar për në finale e së enjtes, ku do të ndeshet me meksikanët e Tigres.

Vendimtar për gjermanët ishte Robert Levandovski, autor i dy golave. Skuadra e trajnerit Flik e dominoi gjithë lojën, por nuk ishte shumë e kthjellët para portës kundërshtare dhe e mbylli ndeshjen vetëm në minutat e fundit. Bavarezët mund ta pasurojnë koleksionin e trofeve. Pasi fituan Kupën e Gjermanisë, Superkupën e Gjermanisë, Superkupën e Europës, Bundesligën dhe Ligën e Kampionëve, ata mund të shtojnë edhe trofeun e 6-të dhe të fundit që u mungon.

Bajerni luajti me skemën e zakonshme 4-2-3-1, me Gnabrin, Mylerin dhe Komanin pas Levandovskit. Pas disa rastesh të humbura në fillim, sulmuesi polak mposhti portierin e Al Ahli në minutën e 17-të. Më pas gjermanët shpërdoruan shumë raste për golin e dytë. Në pjesën e dytë egjiptianët kishin më shumë kurajë dhe në të 50-ën mund të barazonin, por u bllokuan nga mbrojtja bavareze.

Bajerni feston një nga golat e Levandovskit. Gazeta Si, 8 shkurt 2021

Koman e detyroi portierin kundërshtar të bënte një pritje shumë të bukur. Bajerni kontrolloi lojën, por e uli ritmin. Vetëm 4 minuta para fundit gjermanët dyfishuan. Sane avancoi në të djathtë dhe krosoi në shtyllën e dytë, ku Levandovski, i vetëm, e dergoi me kokë në rrjetë. Tani bavarezët duhet të përgatiten për finale me Tigres, me objektivin e qartë për të fituar trofeun e radhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë