Pak ditë pas eliminimit në Kupën e Italisë nga Atalanta, Lacio ka marrë hak, duke e mundur 1-3 skuadrën e Berat Gjimshitit në kampionat. Një fitore mjaft e rëndësishme kjo për Lacion, që i parakalon bergamaskët në renditje dhe afrohet shumë me zonën Champions.
Strakosha mungoi për shkak dëmtimi, ndërsa Gjimshiti, si gjithmonë, ishte titullar. Golin e tretë të Lacios në këtë ndeshje e shënoi Vedat Muriqi, i cili kishte shënuar edhe në kupë ndaj Atalantës. Sulmuesi kosovar u fut në fushë si zëvendësues dhe shumë shpejt i dha sigurinë skuadrës së tij me atë gol të shënuar me portë të boshatisur.
Elseid Hysaj ka luajtur pak minuta në fundin e ndeshjes ndaj Parmës, ku Napoli i tij fitoi pastër, 2-0. Mbrojtësi kuqezi nuk u preferua këtë herë nga minuta e parë nga trajneri Xhenaro Gatuzo.
Edhe Marash Kumbulla nuk e nisi ndeshjen titullar, por vetëm 12 minuta pasi nisi loja, ai mori vendin e Smolling të dëmtuar. Mbrojtësi shqiptar luajti kundër ish-skuadrës së tij, Veronës, ku shkëlqeu sezonin e kaluar. Roma nuk e pati të vështirë të fitonte, madje e zgjidhi gjithçka brenda pjesës së parë, duke shënuar 3 gola dhe duke prerë shpresat e Veronës për pikë në këtë ndeshje. Roma mban vendin e tretë në renditje, me 40 pikë. Serinë A e kryeson Milani me 46 pikë, i ndjekur nga Interi me 44 pikë.
Seria A, java e 20-të
Specia-Udineze 0-1
Atalanta-Lacio 1-3
Kaljari-Sasuolo 1-1
Krotone-Xhenoa 0-3
Napoli-Parma 2-0
Roma-Verona 3-1
Bolonja-Milan 1-2
Sampdoria-Juventus 2-0
Inter-Benevento 4-0
Torino-Fiorentina 1-1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.