Një gol me kokë i Breno në minutën e 9-të shtesë ka vendosur finalen e Kupës Libertadores, e gjitha braziliane. Ka fituar Palmeirasi ndaj Santosit në një ndeshje shumë të kujdesshme, pa spektakël dhe me një nivel teknik nën mesatare.
Suksesi i parë për trajnerin Abel Ferreira, që e ka marrë “timonin” e skuadrës kampione tre muaj më parë. Portugezi përsërit kështu suksesin e patriotit të tij, Jorge Jesus, fitues i Libertadoresit sezonin e kaluar, në krye të ekipit të Flamengos.
Palmeirasi luajti me Everton në portë, Markos Roça, Gustavo Gomez, Luan dhe Vinja në mbrojtje, Danilo, Gabriel Menino, Ze Rafael, Rafael Veiga dhe Roni në mesfushë, dhe i vetëm përpara Luiz Adriano, ish-sulmuesi i Milanit. Në krahun tjetër, trajneri Kuka i Santosit, e nisi me Xhon në portë, Para, Lukas Verisimo, Luan Peres dhe Felipe Xhonatan në mbrojtje, Alison, Sandri, Diego Pituka në mesfushë dhe përpara tredhëmbëshi me Marinjon, Kaio Horgen dhe Soteldon.
Ndeshja u luajt pa tifozë, por në shkallët e stadiumit ishin rreth 5000 të ftuar nga dy klubet, përfaqësues të Konfederatës amerikano-jugore, drejtues dhe pjesëtarë të forcave të rendit. Trofeu u vendos në fushë para ndeshjes nga dy legjenda, Evair i Palmeirasit dhe Pepe i Santosit.
Kronika e ndeshjes është e vërfër, me një rast në pjesën e parë nga Rafael Veiga. Në fund janë akorduar 8 minuta shtesë, që më pas u shtuan sërish. Trajneri Kuka u ndëshkua me të kuq, pasi pengoi një lojtar të Palmeirasit të merrte topin. Kur dukej se ndeshja do shkonte me shtesë, Breno Lopes, i aktivizuar si zëvendësues, gjuajti saktë me kokë në të 99-ën dhe shënoi golin e trofeut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.