Atalanta është skuadra e dytë gjysmëfinaliste e Kupës së Italisë, pasi ka mundur 3-2 Lacion në çerekfinale. Në këtë ndeshje kanë gjetur rrugën e rrjetës mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti, si dhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi. Në fund ka buzëqeshur mbrojtësi kuqezi, pasi veç golit, ka festuar edhe kualifikimin.
Gjimshiti kaloi Atalantën në avantazh pas 7 minutash, duke çuar në rrjetë një top që Muriqi nuk arriti ta largonte nga zona e vogël. Futbollisti i Kombëtares sonë u gjend në kohën e duhur, në vendin e duhur. Pak minuta më pas barazoi shifrat Muriqi, duke shlyer gabimin e bërë në rastin e golit të Atalantës. Shtatlarti kosovar goditi saktë me kokë në zonë, pas një krosi nga e majta.
Më pas ishte Açerbi që kaloi Lacion në avantazh, por Atalanta barazoi shpejt me Malinovskin. Bergamaskët mbetën me 10 vetë në pjesën e dytë, pasi Polomino u ndëshkua me karton të kuq, megjithatë sërish ia dolën të shënonin golin e fitores me Mirançuk. Edhe pse Lacio kishte në dispozicion shumë minuta, nuk mundi të paktën ta çonte ndeshjen në shtesë me golin e barazimit.
Në gjysmëfinale të Kupës së Italisë shkon Berat Gjimshiti me Atalantën. Tomas Strakosha nuk ishte grumbulluar për shkak dëmtimi, ndërsa në stolin e Lacios ishte portieri i ri, Marko Alia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.