Futboll

VIDEO/ Kriza e rezultateve nuk ka fund për Partizanin, Skënderbeu e “zhyt” në greminë

Skuadra e Skënderbeut vazhdon formën e mirë, pasi ka koleksionuar fitoren e pestë radhazi teksa në Tiranë mposhtën me rezultatin 2-1 Partizanin, e vlefshme për javën e 27-të në Kategorinë Superiore. Demat e Kuq u dorëzuan pa shumë kushte ndaj korçarëve, ndërsa edhe trajneri Sormani duket se nuk po jep efekt për të nxjerrë skuadrën nga kriza, teksa është ndeshja e katërt pa njohur triumf. Ndërkohë, sa i përket ndeshjes, Skënderbeu arriti të zhbllokonte rezultatin në minutën e 43-të, ku pas goditjes nga këndi, topi harkohet te Gripshi i cili shënon me gjë gjuajtje spektakolare nga jashtë zonës duke mposhtur Hoxhën.  

Vetëm një minutë më vonë, Dita shënon golin e dytë. Pas një krosimi nga e djathta, mesfushori i skuadrës korçare është treguar i saktë brenda zonës duke e dërguar topin në cepin e portës. Sakaq, në fraksionin e dytë Partizani u mundua të ndryshonte mentalitet dhe hodhi më shumë vështrimin nga porta kundërshtare. Madje ia dolën edhe të rihapnin ndeshjen. Pas një aksioni nga e majta, topi shkon në anën tjetër te Ferati i cili gjuan dhe dërgon sferën poshtë traversës duke rihapur ndeshjen.

Megjithë përpjekjet rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Pas kësaj ndeshje, Partizani mbetet në vendin e 7 pranë fundit të tabelës teksa kanë grumbulluar vetëm 38 pikë. Sakaq, në krahun tjetër, Skënderbeu falë këtij rezultati ngjitet në vendin e tretë me 44 pikë.

Partizani-Skënderbeu 1-2

Golat: 85′ Ferati / 43′ Gripshi, 44′ Dita

Partizani: Hoxha, Belica, Boldor, Bitri, Trashi, Telushi, Mala (84′ Ferati), Kote (59′ Broja), Çinari (67′ Braun), Cara (59′ Llanaj), Bardhi.

Trajner: A. Sormani

Skënderbeu: Koliçi, Jashanica, Pollozhani, Pëllumbi, Imami, Daja (76′ Mara), Elezi, Dita, Gripshi, Bregu, Krasniqi (89′ Mensah).

Trajner: I. Daja

https://streamable.com/s1ri0a

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë