Zjarret dhe temperaturat përvëluese mbi 40 gradë në pjesën më të madhe të Australisë kanë shfarosur miliona gjallesa, ndërsa të tjera janë në kërkim të ushqimit dhe burimeve ujore.
I tillë është rasti i një koale, që e dëshpëruar dhe e dehidratuar iu vërsul një grupi çiklistësh në rajonin e Uellsit Jugor për të kërkuar ujë. Anna Heusler ishte pjesë e grupit të çiklistëve. Ajo pa kafshën që kishte nuhatur ujin në bidonin e saj në biçikletë dhe nisi të shuajë etjen e koalas.
“Pashë që po ecte drejt meje me shpejtësi dhe ndalova. U ngjit menjëherë në biçikletën time për të kapur bidonin me ujë. Aty e kuptova se kishte etje. E hapa bidonin dhe i dhashë për të pirë”, deklaroi Anna për mediat australiane.
Një anëtar i grupit filmoi të gjithë skenën, ndërsa më pas dikush tjetër përpiqet që ta rikthejë koalan në pyllin nga doli.
90 për qind e koalave, njohur ndryshe si “ariu australian” jetojnë në Australi. Por, zjarret e fundit që kanë djegur mbi 25 mijë hektarë pyje kanë shkatërruar habitatin kryesor të tyre. Autoritetet besojnë se deri më tani janë shfarosur të paktën 8 mijë koala dhe numri mund të rritet në vazhdim për shkak të mungesës së ushqimit dhe burimeve ujore për të tjerat që u kanë mbijetuar flakëve.
“Problemi më i madh tani është ushqimi dhe burimet e ujit për koalat. Ato ushqehen me gjethe peme, por shumë pemë janë djegur nga zjarri dhe veç kësaj, mungesa e reshjeve të shiut ka shteruar burimet ujore të tyre”, thotë Janer Brister nga qendra “Adelaide Koala Rescue”.
Brister thotë se autoritetet janë detyruar që t’u bëjnë eutanazinë qindra koalave për shkak të djegieve të rënda të pësuara nga flakët që kanë përfshirë vendin.
Australia vuan prej disa javësh nga një valë ekstreme të nxehti, me temperatura rekord që kanë shkuar deri në 49 gradë celcius në disa rajone.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.