Real Madrid e ka nisur fazën me grupe të Champions League në mënyrën më të keqe të mundshme. Kampionët e Spanjës në fuqi, në fakt, janë fundosur në shtëpi nga Shakhtar Donetsk, që ka fituar në “Estadio Alfredo Di Stefano” me rezultatin e 3-2.
Golin e parë për miqtë e realizoi Tete (29’), ndërsa i dyti ishte një autogol i shkaktuar nga mbrojtësi i Realit, Rapahel Varane ( 33’). Goli i tretë u shënua nga Solomon në minutën e 42-të. Me rezultatin 0-3 u mbyll edhe pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, ekipi i Zinedine Zidane arriti të ‘’zgjohej’’ duke shënuar dy gola të shpejtë, por nuk rezultuan të mjaftueshëm. Luca Modric dhuroi spektakël në minutën e 54’. Dy driblime dhe një “predhë” që la të shtangur në vend portierin ukrainas. Pesë minuta më vonë erdhi edhe goli i dytë i “Los Blancos”. Presingu lart dha efekt pozitiv dhe Vinicius Junior, i cili kishte pak sekonda që ishte futur në fushë, dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë, duke dërguar rezultatin në 2-3.

Deri në fund të ndeshjes Reali nuk u dorëzua për të gjetur golin e barazimit, duke e gjetur në minutat shtesë me anë të Federico Valverde, por goli u anulua nga VAR-i si pozicion jashtë loje. Në ndeshjen e radhës, Reali do të luajë jashtë me Borussia Monchengladbach, ndërsa Shakhtari pret në shtëpi Interin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.