Futboll

Video/ Juventusi përmbys Lacion me Alvaro Moratën, radhën e ka Porto

Një fitore me përmbysje e Juventusit ndaj Lacios dhe vendi i dytë tashmë është vetëm 1 pikë larg. Të besuarit e trajnerit Andrea Pirlo, që e nisi ndeshjen me Kristiano Ronaldon në stol, e zgjidhën mirë situatën, duke fituar 3-1 dhe kështu mund të presin me moral të lartë Porton në Ligën e Kampionëve.

Korrea e kaloi Lacion në avantazh, pas një gabimi në pasim të Kulusevskit. Por Juventusi barazoi në pjesën e parë me francezin Rabiot. Në pjesën e dytë mendoi Alvaro Morata për t’i dhënë tri pikët skuadrës bardhezi. Spanjolli shënoi dy gola, të dytin me penallti, për t’ia lënë më pas vendin Ronaldos.

Ndeshja pati disa episode interesante, dy raste të diskutueshme në zonën e Lacios, një penallti, si dhe një traversë të Milinkoviç-Saviç. Pas kësaj fitoreje, diferenca e Juventusit me kreun shkon në -7 pikë, por kampionët në fuqi kanë një ndeshje më pak. Tani bardhezinjtë kanë provën e vështirë me Porton në Champions, ku duhet një tjetër përmbysje për kualifikimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë