Futboll

Video/ Juventusi nuk fal ndaj Specias, asnjë minutë për Ismajlin

Juventusi ka bërë detyrën në ndeshjen e javës së 25-të të kampionatit, duke mundur Specian me rezultatin 3-0. Me shumë mungesa, të cilëve iu shtua edhe ajo e De Ligt në nxemje, trajenri Andrea Pirlo pati vështirësi në mbrojtje, ku aktivizoi Aleks Sandron në qendër dhe Frabotën në të majtë.

Bardhezinjtë hasën në rezistencën e Specias në pjesën e parë, ndërsa Kristiano Ronaldo u ndal nga shtylla. Në pjesën e dytë, me lëvizjet nga stoli të Pirlos, Juventusi gjeti golat. Morata, pas 1 minute në fushë, kaloi skuadrën e tij në avantazh, pasi goli i spanjollit u konfirmua nga VAR-i. Më pas dyfishoi Kieza dhe në fund do të vinte firmën e tij edhe Kristiano Ronaldo me golin e tretë.

Mbrojtësi i Kombëtares, Ardjan Ismajli, pavarësisht paraqitjes së mirë që ka bërë javët e fundit, nuk u aktivizua asnjë minutë në këtë ndeshje. Specia humbi edhe shansin e golit të nderit, duke shpërdoruar një penallti në kohën shtesë. Juventusi, pas kësaj fitoreje, mbetet në vend të tretë me 49 pikë, por i afrohet 3 pikë Milanit dhe 7 Interit kryesues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë