Futboll

Video/ Junajtid-Vilarreal finalja e Ligës së Europës, fitore nderi për Romën

Nëse Arsenali do të kishte shënuar një gol ndaj Vilarrealit, edhe finalja e Ligës së Europës do të kishte qenë e gjitha angleze, por spanjollët rezistuan në Londër dhe janë ata që kualifikohen. Për trajnerin Unai Emeri, i cili ka eliminuar ish-skuadrën e tij, do të jetë finalja e 5-të në këtë kompeticion. Mançester Junajtid e kishte siguruar finalen që në ndeshjen e parë dhe fitorja 3-2 e Romës ka vetëm vlera statistikore.

Në gjysmëfinalen e kthimit, kjo fitore nuk mjaftoi për italianët, sepse ata kishin humbur thellë, 6-2, ndaj “Djajve të kuq”. Roma e nisi ndeshjen me një gol të pësuar, me autor Kavanin, por reagoi mirë dhe përmbysi shifrat me Xhekon dhe Kristanten. Pas disa pritjesh vendimtare të De Geas, ka ardhur edhe goli i dytë i Kavanit, që preu çdo shpresë për përmbysjen e madhe. Golin e fitores së prestigjit për verdhekuqtë e shënoi Zalevski.

Mbrojtësi i Kombëtares, Marash Kumbulla, nuk luajti asnjë sekondë në këtë ndeshje, ku pati edhe një episod aspak të këndshëm për të. Pas dëmtimit të Smolling në pjesën e parë, Kumbulla bëri nxemjen, por pastaj trajneri Fonseka vendosi të aktivizonte 19-vjeçarin Darboe, duke bërë që lojtari kuqezi të ulej sërish në stol. Një zhgënjim shumë i madh.

Është eliminuar Arsenali, që nuk ia doli të shënonte golin e fitores për të shkuar në finale. Ishin pa fat “topçinjtë” që goditën dy herë shtyllën dhe gjithçka u mbyll 0-0. Falë fitores 2-1 në ndeshjen e parë, Vilarreali arrin finalen e parë europiane në tentativën e saj të pestë. Një “hakmarrje” ndaj Arsenalit për eliminimin e 2006-ës në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.

Vilarreali feston kualifikimin në finale. Gazeta Si, 6 maj 2021

Në të njëjtën kohë, Vilarreali eviton “en-plein” anglez në Europë, ku spanjollët do të jenë skuadra e 4-t e dy finaleve, pas Mançester Sitit, Çelsit dhe Mançester Junajitd. Një “hakmarrje” edhe për trajnerin Emeri, që në 2019-ën u shkarkua nga Arsenali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë