Futboll

Video/ Interi ruan distancën, Ronaldo nervoz “prish” festën e Juventusit

Kanë fituar në javën e 30-të të gjitha skuadrat që kryesojnë Serinë A. Pas Milanit, që mundi 1-3 Parmën të shtunën, të njëtën gjë kanë bërë sot edhe Interi kryesues, Juventusi, Napoli dhe Lacio, duke e bërë edhe më interesante garën për zonën Champions.

Interi ka ruajtur diferencën prej 11 pikësh me vendin e dytë, pasi ka mundur Kaljarin falë një goli të Darmian 13 minuta para fundit të ndeshjes. Skuadra e Kontes vuajti jo pak në këtë ndeshje dhe pas golit të fitores trajneri italian festoi sikur të kishte fituar titullin. Dhe në fakt, kjo fitore e afron edhe më shumë me titullin kampion.

Më pas ishte radha e Juventusit, që mundi Xhenoan 3-1. Realizuan për skuadrën e Pirlos Kulusevski dhe Morata në pjesën e parë, si dhe MekKeni në të dytën. Edhe në këtë ndeshje Kristiano Ronaldo ngeli “thatë” dhe u bë shumë nervoz. Pas vërshëllimës së trefishtë për mbylljen e ndeshjes, ai hoqi fanellën dhe e hodhi në fushë. Një gjest i shëmtuar që nuk kaloi pa u vënë re.

Ka fituar edhe Napoli i Hysajt që këtë herë qëndroi në stol. Skuadra e Gatuzos triumfoi 0-2 në fushën e Sampdorias. Lacio mori tri pikë shumë të rëndësishme në fushën e Veronës, pas golit të shënuar nga Milinkoviç-Saviç në kohën shtesë. Strakosha përsëri e ndoqi ndeshjen nga stoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë