Futboll

Video/ Interi perfekt, nënshtron Juventusin dhe barazon Milanin në krye

Një mbrëmje perfekte për Interin në derbin e Italisë. Zikaltrit dominojnë ndaj Juventusit dhe falë golave të mesfushorëve Arturo Vidal dhe Nikolo Barela, barazojnë Milanin kryesues në kuotën e 40 pikëve. Superioriteti i skuadrës së trajnerit Antonio Konte nuk është vënë asnjëherë në diskutim. Një ndeshje e shëmtuar për Kristiano Ronaldon dhe të gjithë bardhezinjtë.

https://streamable.com/kakyi5
Përmbledhja e ndeshjes Inter-Juventus, 2-0. Gazeta Si, 17 janar 2021

Një provë e fortë se Interi është kandidat potencial për titullin kampion në Serinë A kjo fitore 2-0. Ndeshja është zhbllokuar në minutën e 12-të, kur Barela, pa diskutim më i miri në fushë, kroson saktë për Vidal në zonë dhe kileni mposht Sheznin me kokë. Pritej që Juventusi të reagonte, por në fakt golit i janë afruar Lautaro Martinez dhe Lukaku. Pak pas fillimit të pjesës së dytë, Bastoni gjen krejtësisht të papregatitur mbrojtjen e Juves dhe pason për Barelën, që përballë portierit nuk gabon dhe 2-0.

Andrea Pirlo ndërhyn nga stoli, duke shtuar sulmuesit në fushë. Përveç Ronaldos, Moratës dhe Kiezës, në fushë janë edhe Bernardeski e Kulusevski, por në vetmin rast që Handanoviç vihet në provë, ndërhyn saktë, duke mos lejuar prekjen e rrjetës pas gjuajtjes së Kiezës. Një ndeshje shumë e dobët për kampionët në fuqi dhe veçanërisht për Kristiano Ronaldon, i padukshëm në fushë.

Interis feston fitoren. Gazeta Si, 17 janar 2021

Arturo Vidal, para se të shënonte golin e avantazhit, u bë protagonist i rrejeteve sociale, teksa kamera e fukusoi duke përqafuar Kilenin para nisjes së lojës dhe në një moment duke puthur edhe stemën e Juventusit në fanellën e ish-shokut të skuadrës. Megjithatë, ai gol me kokë i ka kaluar plemikat në plan të dytë. Juventusi mbetet në kuotën e 33 pikëve, me një ndeshje më pak. Interi barazon Milanin në krye me 40 pikë, por kuqezinjtë nuk e kanë luajtur ndeshjen e radhës me Kaljarin.

Në ndeshjet e tjera të javës së 18-të bie në sy fitorja e thellë e Napolit ndaj Fiorentinës, 6-0. Në këtë ndeshje, ku Elseid Hysaj ishte titullar, skuadra e Gatuzos e pati gjithçka të lehtë dhe tani e sheh veten në vend të tretë. Titullar ishte edhe Berat Gjimshiti me Atalantën në barazimin 0-0 ndaj Xhenoas.

Seria A, java e 18-të
Napoli-Fiorentina 6-0
Krotone-Benevento 4-1
Sasuolo-Parma 1-1
Atalanta-Xhenoa 0-0
Inter-Juventus 2-0
Bolonja-Verona 1-0
Lacio-Roma 3-0
Torino-Specia 0-0
Të hënën
Kaljari-Milan


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë