Futboll

Video/ Interi bën detyrën në Firence, parakalon Milanin në krye

Një Inter në formë të mirë ka bërë detyrën në Firence dhe të paktën për dy netë do të jetë në krye të Serisë A. Skuadra e Kontes ka fituar 0-2 në fushën e Fiorentinës, me gola të Barelës dhe Perisiçit. Interi është ngjitur në kuotën e 47 pikëve, 1 më shumë se Milani, që të dielën do të luajë ndeshjen e radhës në shtëpi me Krotonen. Tashmë zikaltrit mund të përqendrohen te ndeshja e kthimit në Kupën e Italisë kundër Juventusit.

Perisiç fitoi balotazhin me Jang për krahun e majtë, kurse Sançez atë me Lautaro Martinez për të qenë në krah të Lukakut nga minuta e parë. Te Fiorentina mungonin për shkak kartonësh Milenkoviç dhe Kastrovili, si dhe Frenk Riberi për shkak dëmtimi.

Gjatë pjesës së parë për Interin ka bërë gjithçka Barela, duke depërtuar në zonën e Fiorentinës disa herë, ndërsa goli do të vinte në minutën e 31-të. Mesfushori italian gjuajti fort me të djathtën nga distanca dhe tundi rrjetën. Provoi të reagonte Fiorentina, por Handanoviç ishte i gatshëm në çdo moment.

Në pjesën e dytë Vidal la fushën për shkak dëmtimi. Edhe Prandeli ndryshoi mesfushën, por Interi i dha goditjen e dytë shumë shpejt. Hakimi, sërish përcaktues, fluturoi në të djathtë, duke djegur Igorin dhe i dhuroi Perisiçit topin e golit të dytë. Më pas Interi e kontrolloi mirë lojën, Konte bëri ndërrimet e tjera dhe të tijtë iu afruan golit të tretë, por pa e gjetur atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë