Futboll

VIDEO/ Inter përmbysje spektakolare, Sassuolo në krye të Serie A

U luajtën në orën 15:00, katër sfidat e vlefshme për javën e 8-të të Serisë A. Padyshim që vëmendja më e madhe ishte në “San Siro” në përballjen mes Interit dhe Torinos. Nëse Roma fitoi me lehtësi 3-0 ndaj Parmës, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Interin, pasi deri në minutën e 62-të, zikaletrit ishin duke humbur 0-2. Lukaku ishte ai që edhe njëherë tjetër vendosi ndeshjen.

Skuadra e Antonio Contes, arriti të përmbysë disavantazhin 0-2, duke shënuar plot 4 gola në harkun kohor të 30 minutave. Zaza në fundin e pjesës së parë dhe Ansaldi nga pika e bardhë e penalltisë, tronditën fillimisht Interin, ndërkohë që Sanchez dhe Lukaku vendosën menjëherë baraspeshën në minutat 64 dhe 67-të. Belgu nuk u mjaftua me kaq teksa në minutën e 84-t, kaloi në avantazh skuadrën e tij, duke shndërruar në gol një 11-metërsh. Për të vulosur këtë përmbysje mendoi Lautaro Martinez, i hedhur nga stoli, i cili në minutën e 90-të, pas asistit të Lukakut, tundi rrjetën.

Për Romën ishte gjithçka e thjeshtë ndaj Parmës, ku rezultati 3-0 u vendos brenda 12 minutave në pjesën e parë. Ndërkohë, surpriza deri tani në Serie A është Sassuolo, e cila është ngjitur përkohësisht në krye të renditjes, pasi triumfoi 0-2 në një fushë të vështirë, si ajo e Veronës. Aktualisht, Sassuolo është në kuotën e 18 pikëve, ndërsa në vendin e dytë renditen Milani dhe Roma me nga 17 pikë, me kuqezinjtë që do të luajnë në mbrëmje në Napoli.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë