Futboll

Video/ I përjetshmi Ibrahimoviç, Milani fiton nën shenjën e suedezit

Sezoni i Milanit është hapur ashtu siç u mbyll ai i fundit, me fitore. Dhe sërish nën shenjën e Zllatan Ibrahimoviç. Dy golat e tij ndaj Bolonjës, nga një në çdo pjesë, i dhanë suksesin e parë ekipit kuqezi. Bolonja u dorëzua para suedezit dhe lojës së organizuar të Piolit, një tjetër hap përpara, një tjetër tregues për një ekip solid.

Milani kërkon konfirmimin në sezonin e ri dhe pas ndeshjes në Dublin për Ligën e Europës, vjen edhe debutimi me fitore në “San Siro”. Në pjesën e parë lodhja nuk u ndje, kuqezinjtë ishin zotër të fushës dhe mund të shënonin edhe para golit të Ibrahimoviç. Pioli aktivizoi Rebiç titullar dhe konfirmoi të riun Gabia në mbrojtje, kurse Tonali e nisi nga stoli.

Milani feston një nga golat e Ibrahimoviç. Gazeta Si, 22 shtator 2020

Ibra tregoi klasin e tij menjëherë, por golin e gjen në minutën e 35-të, kur pas një krosi të Teo Hernandez nga e majta, gjuan me kokë dhe 1-0. Sapo nis pjesa e dytë suedezi rrezikon sërish, duke e detyruar Skorupskin të bëjë një pritje vendimtare. Por goli i dytë nuk vonon. Benaser fiton një goditje dënimi në vijën e zonës, që VAR-i e kthen në penallti dhe Ibrahimoviç nuk fal nga pika e bardhë. Në pjesën e dytë vjen edhe debutimi si kuqezi në kampionat i Tonali, i cili merr vendin e Kesi. Bolonja kujtohet të bëjë diçka vetëm në fund, por pa mundur ta ndryshojë rezultatin.

https://twitter.com/MilanEye/status/1308124957386379268?s=20
Goli i parë i Ibrahimoviç ndaj Bolonjës. Gazeta Si, 22 shtator 2020

Ndeshja mbyllet 2-0 dhe Milani pas 72 orësh do të luajë kundër Bodo Glimt në Europë. Zllatan Ibrahimoviç, edhe pse 38 vjeç, mbetet vendimtar për kuqezinjtë me golat e rëndësishëm që shënon. Sezoni ka nisur mbarë dhe shpresat janë të mëdha që Milani të vazhdojë ringritjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë