Futboll

Video/ Haland tremb Bajernin, Levandovski sistemon gjithçka me një tripletë

Gola, spektakël, ekuilibër dhe emocione në “Klassiker” në Gjermani. Bajern Mynih-Borusia Dortmund përfundoi 4-2, ku pas 2 golave-rrufe të Haland brenda minutës së 9-të, ka ardhur tripleta e Levandovskit dhe një gol i Goretzkas për përmbysjen e bavarezëve.

Një fillim i jashtëzakonshëm i ndeshjes për sulmuesin e Borusias, Erling Haland, i cili e hapi sfidën me një dopietë, por më pas gjithçka u përmbys dhe Bajerni rimori kreun e klasifikimit, pasi gjatë pasdites ishte kaluar nga Lajpcigu. Trajneri Flik luajti me skemën e zakonshme, 4-2-3-1, me Sané, Myler dhe Koman pas Levandovskit, kurse Dortmundi, pa Sanço dhe Reina, u përgjigj me Rojs dhe Hazard pas Haland.

Norvegjezi e zhbllokoi ndeshjen menjëherë, pas një krosi të Meunier. Në të 9-ën ai dyfishoi shifrat, pas një pasimi të Hazard. Bajerni reagoi dhe krijoi disa raste, por pa shënuar. Borusia kishte edhe një rast për golin e tretë, teksa Meunier doli përballë Nojerit pas një gabimi të Alabës, por belgu kërkoi pasimin në vend që të gjuante dhe topi u ndërpre nga Boateng.

Pas një minute Bajerni shkurtoi me Levandovskin, që shënoi në shtyllën e dytë, ndërsa në fund të pjesës së parë ai barazoi me penallti. Edhe në pjesën e dytë ritmi ishte shumë i lartë, por golat e fitores për bavarezët do të shënoheshin në fund.

Dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Goretzka kaloi Bajernin në avantazh, duke dërguar në rrjetë një top që nuk u largua mirë nga mbrojtja kundërshtare. Levandovski vulosi rezultin më pas me golin e 4-t dhe të 3-tin personal në këtë ndeshje. Bavarezët u treguan të brishtë në prapavijë dhe këtë sezon gara e titullit duket më e ekuilibruar. Bajernin kryeson me 55 pikë, Lajpcigu ka 2 më pak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë