Futboll

Video/ Gola, të kuq dhe tension Ibra-Lukaku në derbi: Interi në gjysmëfinale

Derbi mes Interit dhe Milanit, dy skuadrat që kryesojnë Serinë A, është zhvendosur në çerekfinale të Kupës së Italisë. Ka qenë një derbi më i nxehtë se kurrë këto vitet e fundit, ku ka ndodhur gjithçka dhe në fund ka fituar Interi 2-1, duke shkuar në gjysmëfinale.

Më shumë se vetë ndeshja, vëmendjen e ka marrë sherri mes Ibrahimoviçit dhe Lukakut në fundin e pjesës së parë. Të dy sulmuesit kanë fyer njëri-tjetrin me fjalë të rënda, por arbitri Valeri i ka ndëshkuar vetëm me karton të verdhë. “Shko bëj ritet e tua si “voodoo”, gomar i vogël”, - i është drejtuar suedezi i Milanit Lukakut, i cili ia ka kthyer me një sharje nga gruaja.

Në pjesën e dytë, Ibrahimoviç, që e kishte kaluar Milanin në avantazh, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për një ndërhyrje ndaj Kolarov. Milani është munduar të mbrohet me 10 vetë, por gjyqtari Valeri ka akorduar një penallti me VAR në favor të Interit dhe Lukaku ka barazuar. Në vazhdim është dëmtuar edhe arbitri, që është zëvendësuar nga arbitri i katërt. Golin e fitores për Interin e ka shënuar Eriksen me goditje dënimi në minutën e 7-të shtesë nga 10 të akorduara.

Interi bëhet kështu skuadra e parë gjysmëfinaliste e Kupës së Italisë, ndërsa Milani pëson humbjen e dytë radhazi brenda pak ditësh, pas asaj me Atalantën në kampionat. Polemikat ndërkohë vazhdojnë, si për sherrin mes Ibrës dhe Lukakut, ashtu edhe për gjykimin e Valerit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë