Futboll

VIDEO/ Festë në Shkodër, Vllaznia mposht Tiranën në minutën e 97-të

Kur Vllaznia dhe Tirana po bënin llogaritë me barazimin në “Loro Boriçi”, Dunga shfrytëzoi një vendosje të gabuar të mbrojtjes mike dhe shënoi golin që bëri gjithë Shkodrën të shpërthejë në festë. Ishte minuta e 97-të e ndeshjes. Vllaznia fiton edhe klasiken e Superiores dhe udhëheq renditjen me 9 pikë pas 3 javësh. Nevil Dede ishte pranë debutimit me sukses në stolin e Tiranës, por këtë kënaqësi ia hoqi sulmuesi afrikan i shkodranëve. Kjo ishte humbja e dytë në 3 ndeshje për kampionët.

Dy golat e parë për Vllazninë u shënuan nga Herald Marku, i pari me penallti në pjesën e parë dhe i dyti me një gjuajtje nga jashtë zonës. Për Tiranën realizuan Muçi dhe Sasraku, i cili përfiutoi nga një dalje e gabuar e portierit Zogoviç. Dunga, i aktivizuar si zëvendësues në këtë ndeshje, i dhuroi fitoren e tretë radhazi në po kaq javë Vllaznisë me nëj gjuajtje të saktë me kokë në minutën e 7-të shtesë. Gjatë pjesës së dytë të kësaj ndeshjeje pati edhe momente paniku, pasi afrikani Giamfi i Tiranës u dëmtua keq gjatë një rënieje dhe u dërgua në spital me autoambulancë.

Moment nga ndeshja Vllaznia-Tirana, 3-2. Gazeta Si, 21 nëntor 2020

Partizani nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola në Elbasan ndaj Laçit, Pavarësisht rasteve që krijoi, ku veçohet ai në fundin e ndeshjes me Solomon, skuadra e trajnerit Ilir Daja mori vetëm një pikë. Po nga një pikë ndanë edhe Teuta me Kukësin, që gjithashtu nuk mundën ta gjenin rrugën e rrjetës në stadiumin “Niko Dovana”. Kukësi merr pikën e parë në këtë kampionat.

Në dy ndeshjet e tjera të luajtura më parë, Skënderbeu fitoi 0-2 në Ballsh ndaj Bylisit, me gola të Pusit dhe Tereziut, kurse Kastrioti dhe Apolonia ndanë nga një pikë mes polemikash për penalltinë e krutanëve.

Java e tretë
Vllaznia-Tirana 3-2
Partizani-Laçi 0-0
Teuta-Kukësi 0-0
Bylis-Skënderbeu 0-2
Kastrioti-Apolonia 1-1


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë