Futboll

Video/ Edhe Napoli në gjysmëfinale të kupës, Hysaj fiton duelin me Ismajlin

Një vend në gjysmëfinale të Kupës së Italisë edhe për Elseid Hysajn dhe Napolin e tij, që ka mundur 4-2 Specian në çerekfinale. Kapiteni i Kombëtares ka fituar duelin me mbrojtësin tjetër kuqezi, Ardian Ismajlin. Që të dy ishin titullarë në këtë ndeshje, ku në fund ka festuar Hysaj, i vlerësuar me notën 6, kurse Ismajli me notën 5.

Shkodrani ishte protagonist në golin e parë të Napolit, të shënuar që në minutën e 5-të. Hysaj dha një pasim të saktë për Kulibalin, që me thembër e dërgoi topin në rrjetë. Napoli i mbylli llogaritë që në pjesën e parë, duke shënuar edhe tre gola të tjerë me autorë Lozano, Elmas dhe Politano. Në pjesën e dytë Specia vetëm sa shkurtoi diferencën me 2 gola.

Napoli është gjysmëfinalisti i fundit i Kupës së Italisë. Me këtë fitore, skuadra e Gatuzos merr hak për humbjen në kampionat ndaj Specias. Në gjysmëfinale Napoli do të ndeshet me Atalantën dhe Hysaj do të ketë një tjetër duel me një shok skuadre në Kombëtare, Berat Gjimshitin. Sido që të shkojë, e sigurt është që në finale të Kupës së Italisë do të jetë një shqiptar, Hysaj me Napolin, ose Gjimshiti me Atalantën. Çifti tjetër gjysmëfinalist është Inter-Juventus.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë