Futboll

Video/ Dopio Morata, Juventusi nuk fal në Champions

U takoi grupeve F dhe G të ngrinin siparin e Championsit, e xhiros së parë të ndeshjeve në grup të kompeticionit më të rëndësishëm europian në rang klubesh. Juventusi ka fituar 0-2 në transfertën e Kievit, duke i bërë një nisje të mbarë aventurës europiane për këtë sezon.

Alvaro Morata është njeriu i momentit te kampionët e Italisë. Ai shënoi të dy golat në fushën e Dinamos së Kievos, në pjesën e dytë. Spanjolli zhbllokoi shifrat, duke dërguar në rrjetë një top të grushtuar nga portieri ukrainas, pas gjuajtjes së Kulusevskit. Në rastin e golit të dytë ai u shkëput bukur dhe devijoi saktë me kokë një kros nga e djathta.

https://youtu.be/raXAyYpIiQU
Përmbledhja e ndeshjes Dinamo Kiev-Juventus, 0-2. Gazeta Si, 20 tetor 2020

Trajneri Andrea Pirlo kishte bërë ndryshime në formacion, në krahasim me ndeshjet e kampionatit. Ai aktivizoi lojtarët më me përvojë që ka në skuadër. Dibala e nisi sërish nga stoli, por u hodh në fushë në pjesën e dytë, kurse Kristiano Ronaldo është jashtë skuadrës për shkak të karantinës. Juventusi shijon tri pikët e para në grup.

Ndeshja tjetër e mbyllur tashmë është ajo e Grupit F mes Zenitit dhe Bryzhit, ku ka ardhur edhe një rezultat surprizë. Skuadra belge ka fituar në këtë transfertë të vështirë, me rezultatin 1-2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë