Futboll

Video/ Dopietë e Sançez, Interi nis arratisjen drejt titullit, +6 nga Milani

Një dygolësh i Aleksis Sançez në pjesën e dytë i ka dhënë Interit fitoren në fushën e Parmës. Vendësit shënuan golin e nderit me Hernanin, por vetëm kaq, pasi nuk mundën ta përballonin furinë e zikaltërve të Kontes në ndeshjen e fundit të javës së 25-të të Serisë A.

Kjo është fitorja e 6-të radhazi për Interin, që nis arratisjen drejt titullit, pasi ka shkuar në +6 nga Milani i vendit të dytë. Në “Tardini” zikaltrit luajtën një pjesë të parë jo në nivelin e zakonshëm. Në pjesën e dytë mendoi kileni Sançez për të vënë firmën e tij në shkëputjen e Interit. Ai zhbllokoi shifrat në minutën e 54-t dhe dyfishoi në të 62-ën, pas një asisti perfekt të Lukakut.

Ndeshja u rihap në minutën e 71-të, kur Hernani shkurtoi shifrat në 1-2, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Një fitore me shumë vlera për skuadrën e Kontes, që tani mund të menaxhojë më e qetë diferencën e krijuar me ndjekësit, pse jo dhe për ta thelluar atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë