Futboll

Video/ Çlirohet Partizani, 3 gola Bylisit dhe presion Teutës kryesuese

Një fitore të pastër, 3-0, ka arritur Partizani në “Air Albania Stadium”, duke barazuar kështu Vllazninë e vendit të dytë me 47 pikë. Kreu, që mbahet nga Teuta, tashmë është vetëm 2 pikë larg, çka do të thotë se mundësitë për titullin kampion janë të mëdha në kampin e kuq.

Të tre sulmuesit e aktivizuar titullarë nga trajneri Ilir Daja kanë gjetur rrugën e rrjetës. Braziliani Stenio Zhunior realizoi nga “tuneli”, vetëm pas 15 sekondash lojë. Një gol që i çliroi të kuqtë psikologjikisht dhe më pas ata krijuan edhe raste të tjera. Partizanit iu anulua një gol për pozicion jashtë loje në pjesën e parë, ndërsa 2 golat që thelluan rezultatin erdhën në pjesën e dytë.

Jasir Asani realizoi me të majtën brenda zonës, pasi mori një pasim të saktë nga Erald Çinari. Ky i fundit do të shënonte edhe golin e tretë për të kuqtë 6 minuta para fundit të ndeshjes. Përveç 3 pikëve të fituara, trajneri Daja mund të qetësohet edhe për zhbllokimin e sulmuesve, të cilët nuk kishin shënuar në dy ndeshjet e fundit.

Renditja pas javës së 27-të të Superiores. Gazeta Si, 11 prill 2021

Fitorja e Partizanit e bën edhe më intriguese luftën për titullin kampion në Superiore. Kryeqytetasit kanë një skuadër me potenacial, por edhe më shumë përvojë se rivalët e tyre, Teuta, Vllaznia dhe Laçi. Ndryshe nga këto tri skuadra, të kuqtë nuk janë të angazhuar në Kupën e Shqipërisë dhe kjo është në favorin e tyre.

Java e 27-të
Të shtunën
Kastrioti-Kukësi 0-3
Skënderbeu-Tirana 0-0
Laçi-Vllaznia 0-0
Apolonia-Teuta 0-2
Sot
Partizani-Bylis 3-0


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë