Futboll

VIDEO/ Broja shënon në Holandë, Viteshe e tij është anti-Ajaksi

Armando Broja ka gjetur kurajë për ta kaluar momentin e vështirë që përjetoi pas atij rasti flagrant të humbur në ndeshjen ndaj Groningenit, që i kushtoi pikë të humbura skuadrës së tij. Sulmuesi ishte sot protagonist në fitoren 2-0 ndaj Sitardit. Ai shënoi golin e dytë për Viteshen dhe të pestin në këtë kampionat. Shtatlarti devijoi drejt rrjetës një top të krosuar nga një goditje dënimi.

https://twitter.com/nielsdigitl/status/1333032043723288579?s=20
Goli i shënuar nga Broja. Gazeta Si, 29 nëntor 2020

Broja e nisi ndeshjen titullar dhe realizoi në minutën e 84-t, dy minuta para se të zëvendësohej, duke marrë përqafimet e gjithë skuadrës. Viteshe është ngjitur në kuotën e 25 pikë me këtë fitore dhe ka përpara në renditje vetëm Ajaksin, me 27 pikë. Në 10 ndeshje të luajtura, Viteshe regjistron 8 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, ndaj dhe mund të konsiderohet anti-Ajaksi në kampionat.

Futbollisti kuqezi është bashkuar me skuadrën holandeze në merkaton e verës, duke kaluar në formë huazimi nga Çelsi. Ai ka qenë protagonist me lojën dhe golat e tij. Ai rast me portë bosh i humbur ndaj Groningenit e vuri në qendër të kritikave, por sulmuesi i ri shqiptar ka ditur ta përballojë momentin e vështirë dhe është përgjigjur me golin e radhës. Broja nuk luajti në ndeshjet e fundit me Kombëtaren për shkak dëmtimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë