Futboll

Video/ Benzema-Kros firmosin triumfin në “El Clasico”, Reali ngjitet në krye

Reali Madrid e tregon veten atëherë kur duhet. “El Clasico” ishte një shans i mirë për të goditur rivalin e përjetshëm dhe për të marrë kryesimin, ndaj dhe të besuarit e Zinedin Zidan nuk mund ta humbisnin. Falë ekspertëve që ka në ekip, edhe pse këtë here mungonin kapiteni Ramos dhe Varane, Reali ka fituar 2-1, pas një pjese të parë spektakolare, ndërsa në të dytën më shumë mendoi të ruante rezultatin.

Madrilenët tashmë kryesojnë La Ligën me 66 pikë, po aq sa ka edhe Atletiko Madrid, por me një ndeshje më pak. Realit i mjaftuan 13 minuta lojë për të gjetur golin e parë. Karim Benzema realizoi me një veprim të bukur teknik brenda zonës, duke e dërguar topin me finte në rrjetë, pas një pasimi nga e djathta nga Lukas Vaskez.

Barcelona do të mrrete goditjen e dytë brenda pjesës së parë. Toni Kros shënoi nga një goditje dënimi pranë zonës, i ndihmuar edhe nga një devijim i topit. Katalanasit shkurtuan diferencën me mbrojtësin Mingueza pak pas fillimit të pjesës së dytë. Trajneri Koeman hodhi në fushë edhe sulmuesit Grizman dhe Braithuejt, megjithatë skuadra e tij nuk ia doli për të barazuar dhe në fund u detyrua të dalë e mundur nga fusha e Realit. Kjo humbje e zbret Barcelonën në vend të tretë.

Zidan, me pak alternativa në stol për shkak të mungesave, e freskoi ekipin me Iskon, Mariano Diazin dhe Marselon, ndërkohë që më parë kishte aktivizuar edhe Asension. Reali mbeti me 10 vetë në kohën shtesë, kur Kasemiro u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Fitorja në “El Clasico”, përveçse e ka ngjitur në krye Realin , do ta ndihmojë shumë edhe në aspektin psikologjik.

Pjesa e dytë e ndeshjes u shoqërua nga një reshje shiu të dendura, që e vvshtirësuan jo pak lojën e dy skuadrave në fushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë