Futboll

Video/ Bare ngjitet në elitën spanjolle, më në fund zhbllokohet Sadiku në Bolivi

Një fundjavë e mbarë për disa nga futbollistët e Kombëtares. Keidi Bare është ngjitur në La Liga, në nivelin elitar të futbollit spanjoll, pas barazimit 0-0 që Espanjoli arriti në fushën e Real Zaragozës. Pika e fituar në këtë transfertë e ka ngjitur matematikisht në La Liga Espanjolin.

Një sukses ky për mesfushorin fierak të Kombëtares, një nga lojtarët kryesorë në formacionin e Espanjolit. Sezonin e ardhshëm Bare do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij mes më të mirëve të futbollit spanjoll, me shumë yjesh të futbollit botëror. Sigurisht, me më shumë interes pritet derbi me Barcelonën në kampionat. Keidi Bare është një nga lojtarët më të vlerësuar të Espanjolit, që kryeson kampionatin.

Më në fund është zhbllokuar në Bolivi Armando Sadiku, sulmuesi kuqezi që ka munguar në grumbullimet e fundit të Kombëtares. Ai la Turqinë dhe u transferua në Amerikën e Jugut në janar, por kishte hasur vështirësi për të gjetur rrugën e rrjetës me fanellën e Bolivarit.

Sadiku shënoi 2 gola në fitoren e thellë 5-0 ndaj San Hoze. Sulmuesi kuqezi zhbllokoi shifrat fillimisht, duke i shpëtuar pozicionit jashtë loje, ndërsa në fundin e pjesës së parë shënoi edhe golin e dytë personal. Kjo dopietë është pritur me shumë gëzim në stolin e Bolivarit, që ishte në pritje të golave të sulmuesit shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë