Futboll

Video/ Atalanta e Gjimshitit reziston me 10 vetë, Reali e ndëshkon në fund

Në një ndeshje, ku për gati 80 minuta luajti me 10 vetë, Atalanta e Berat Gjimshitit, 90 minuta në fushë, rezistoi mirë ndaj Realit me shumë mungesa, por në fund u ndëshkua nga një gol i mbrojtësit Mendi. Kjo humbje në shtëpi i shuan ëndrrat e bergamaskëve për kualifikim në çerekfinale të Championsit, ndërkohë që nga shtypi sportiv italian ka shumë rezerva për gjykimin.

Mendi feston me Lukas Vaskez golin e fitores. Gazeta Si, 24 shkurt 2021

Gjyqtari gjerman, Tobias Stieler, ndëshkoi direkt me karton të kuq pas 17 minutash lojë mesfushorin Remo Freuler. Ai kreu një faull në kohë vonesë ndaj Mendi dhe si lojtar i fundit u ndëshkua maksimalisht, edhe pse nuk ishte një rast i pastër për gol për kundërshtarin. Vendimi i gjermanit është shoqëruar me shumë polemika, pasi është konsideruar i ekzagjeruar.

Më pas Atalanta humbi edhe sulmuesin Duvan Zapata për shkak dëmtimi. Mbrojtja atalantine dhe portieri Golini rezistuan deri 4 minuta para fundit të ndeshjes, kur u ndëshkuan nga Mendi, i cili goditi saktë nga jashtë zonës.

Trajneri Zinedin Zidan mezi kishte plotësuar formacionin, pasi kishte 9 mungesa, me të cilave emra si kapiteni Ramos, Benzema, Hazard, Valverde, Marselo, Dani Karvahal dhe të tjerë. Në pjesën e dytë trajneri francez zëvendësoi 3 lojtarët e sulmit, Isko, Vinicis dhe Asensio, duke u dhënë mundësinë të luanin edhe të rinjve Arribas dhe Duro.

Mançester Siti e pati të lehtë në “Pushkash Arena”, ku të besuarit e trajnerit Guardiola arritën fitoren e 19-të radhazi. Bernardo Silva në pjesë e parë dhe Gabriel Jesus në të dytën mposhtë gjermanët e Borusia Mënshegladbah. Kjo fitore 0-2 në transfertë u jep siguri anglezëve për kalimin në çerekfinale.

Liga e Kampionëve, faza e 1/8-ve
Sot
Atalanta-Real Madrid
Borusia M.-Mançester Siti 0-2
Të martën
Lacio-Bajern Mynih 1-4
Atletiko Madrid-Çelsi 0-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë