Futboll

Video/ 10 fitore radhazi, Interi prenoton titullin. Juventusi mund Napolin

Interi vuan, por arrin fitoren e 10-të radhazi dhe kështu skuadra e Kontes prenoton titullin kampion në Serinë A. Ishte ndeshja e prapambetur nga java e 28-të me Sasuolon, që përfundoi me rezultatin 2-1 dhe që i ka çuar zikaltrit në kuotën e 71 pikëve, plot 11 pikë para Milanit të vendit të dytë.

Në “San Siro” u shfaq një Inter cinik, me dyshen Lukaku-Martinez që nuk ka tradhëtuar. Sulmuesi belg zhbllokoi shifrat pas 10 minutash me një gjuajtje me kokë, kurse argjentinasi dyfishoi në minutën e 67-të. Në fund Traore frikësoi disi skuadrën e Kontes, pasi shkurtoi diferencën në 2-1, por vetëm kaq.

Ka fituar edhe Juventusi me të njëjtin rezultat ndeshjen e prapambetur me Napolin e Elseid Hysajt, i cili e nisi titullar dhe u ndërrua nga Gatuzo çerek ore para fundit. Kristiano Ronaldo kaloi bardhezinjtë na avantazh në pjesën e parë, në të dytën dyfishoi Dibala. Në minutën e fundit Napoli realizoi golin e nderit me një penallti të ekzekutuar saktë nga Insinje.

Pas kësaj fitoreje, kampionët në fuqi ngjiten në vend të tretë, duke parakaluar Atalantën. Juventusi ka tashmë 59 pikë dhe është një kërcënim shumë serioz për Milanin, që ka vetëm një pikë më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë