Politike

Vezë, çizme, këpucë, miell… deri te boja! Rama, Kryeministri më i goditur

Mentor Kasa - Sulmi me bojë ishte më i rëndi që Kryeministri Edi Rama ka pësuar në sallën e Kuvendit, por ai nuk është i vetmi. Në thuajse 6 vite pushtet, Rama ka qenë shpesh në shënjestër të sulmeve me objekte të ndryshme, që nga çizmja e deri tek "arma" tradicionale e protestuesve, veza.

Në shmangien e këtyre sulmeve atë s’e ndihmon as detyra e posti që mban, por as gjatësia trupore. Sulmet më të shpeshta kanë pasur për autorësi opozitën, por “shpikja” e kësaj metode proteste ndaj Kryeministrit është më e hershme.

E përbashkëta e të gjitha sulmeve është se ato kanë ndodhur sa herë që në Kuvend apo Qeveri janë diskutuar reforma, ligje apo vendime të rëndësishme. Pikërisht pas një reforme të tillë, Rama do të ishte objekt i sulmit të parë.

Në nëntor të 2015, disa muaj pas miratimit të ligjit për arsimin e lartë, aq fort të kundërshtuar nga një pjesë e studentëve, ai u godit me vezë. Studentët e kanë sulmuar kreun e Qeverisë me thirrjet ‘hajdut’, ‘sharlatan’, ‘i shitur’ dhe ‘kryeministër plehrë’. Në pranga përfunduan 8 studentë, ndaj të cilëve nisi një sagë gjyqësore. Në 2017 Gjykata e Tiranës mori një vendim, duke dënuar me 60 orë punë komunitare të rinjtë, të cilët në përfundim të procesit u shprehën të penduar vetëm për një gjë: që nuk kishin arritur që të godisnin në shenjë.

https://www.youtube.com/watch?v=gzc1gKgCesY

Kjo ishte hera e parë, të paktën në sy të kamerave që Kryeministri përballej me një sulm të tillë. Në shkurt të 2016, kur në Kuvend dhe në opinionin publik kryefjala ishte reforma në drejtësi dhe dekriminalizimi, ai u përball me sulmin e dytë. Këtë herë ishin deputetët e opozitës, që kopjuan studentët. Ata hodhën disa vezë në drejtim të Kryeministrit, por ashtu si studentët, edhe ata gabuan shënjestër.

https://www.youtube.com/watch?v=Yi8LiyNozAY

Sulmi tjetër ndodh 18 dhjetorin e 2017, pikërisht në seancën që do të zgjidhej si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku. Mjetet e zgjedhura nga opozita ishin “të larmishme”. Deputetët e PD hodhën letra, shishe plastike me ujë e deri edhe tek çizmja e hedhur nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Edhe në këtë rast “shënjimi” ishte i dobët.

https://www.youtube.com/watch?v=LChXXpR3_Mo

Në fillim të prillit të 2018, kur kuksianët i kishin vënë flakën traut të pagesës të sapovendosur në Rrugën e Kombit ndodhi përplasja tjetër. Deputetët e opozitës kërkuan që Edi Rama t’u kërkonte falje qytetarëve kuksianë, sipas tyre për fyerjet që u kishte adresuar dhe më pas të niste puna në Kuvend.

Përballë refuzimit dhe kundërakuzave të Kryeministrit ata zgjodhën që ta godasin. Këtë herë mjeti i përzgjedhur ishte më i butë; mielli. Nga anëtarët e Qeverisë iu kundërpërgjigj duke i lagur me ujë ministri i Jashtëm i asaj kohe, Ditmir Bushati, duke kompletuar “brumin” e Parlamentit shqiptar. Bushati më vonë do të kërkonte ndjesë përmes një postimi në rrjetet sociale.

https://www.youtube.com/watch?v=jKv8FTpsuTM

Në nëntor të 2018 Kryeministri Rama u vendos sërish në shënjestër. Këtë herë nga një qytetar. Një banor i prekur nga projekti i Unazës së Madhe në aksin nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja hedh njërën këpucë ndaj kreut të Qeverisë në momentin që ky i fundit po përgatitej për të folur për mediat në dalje të Spitalit të Traumës, ku ishte ndalur për të vizituar efektiven e policisë, Ina Nuka, të lënduar po atë ditë gjatë protestës të këtyre banorëve para Kuvendit. Edhe në këtë rast këpuca nuk e kapi.

https://www.youtube.com/watch?v=QkO3s3YYGL0

Pak më shumë se një muaj më vonë, Rama do të sulmohej nga opozita dhe skenë ishte sërish salla e seancave plenare. Deputeti i Partisë Demokratike, Endri Hasa hedh dy vezë në drejtim të Kryeministrit kur ky i fundit po fliste në foltore. Njëra prej vezëve doli huq, tjetra e kapi në pjesën e barkut. Gjesti mbërrinte në kulmin e protestës së studentëve dhe deputeti Hasa në momentin që hedh vezët dëgjohet tek i thotë: “Këtë e ke nga studentët”.

https://www.youtube.com/watch?v=xzwPowI_zec

Boja me shiringë e Edi Palokës “pasuroi” këtë listë, që siç janë sinjalet mund të zgjatet akoma më shumë në të ardhmen, por mbetet për t’u parë me ç’mjete!

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/613606925751161/

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë