Rend dhe Ligj

Vettingu uli marsh, Qeveria e rikthen tek Pallati i Kongreseve

Mentor Kasa - Ritmet e qershorit dhe korrikut të rivlerësimit të gjyqtarëve duken kohë e largët. Së bashku me ambientet e reja, në godinën e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisioni i Posaçëm i Apelimit u zhvendosën në shtator, u ul ndjeshëm edhe ritmi i emrave të kaluar në sitë.

Si të mos mjaftonte kjo, një grup organizatash dhe shoqatash të shoqërisë civile ngritën si problematikë edhe ambientet. Sipas Institutit të Studimeve Politike, Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Qendra për Studimin e Demokracisë dhe të Qeverisjes vunë në dukje se shpesh sallat nuk plotësonin kriteret e transparencës së procesit.

Shkak për këtë ishin përmasat e këtyre sallave, që tejmbusheshin gjatë dëgjesave publike, duke “sikletosur” kandidatin që kalonte në sitë.

Shoqëria civile vëren si problematike edhe vonesat në publikimin në faqen zyrtare të vendimeve të arsyetuara nga KPK, të cilat sipas tyre ndikojnë në negativisht për transparencën dhe pritshmëritë që ka publilku.

Instituti i Studimeve Politike vë në dukje rëndësinë e ritmeve të procesit për të mos shtyrë edhe më tej në kohë ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësore dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Këtij shqetësimi i është bashkuar edhe Komiteti i Helsinkit dhe Qendra për Studimet e Demokracisë dhe Qeverisjes.

“Ne, si përfaqësues të shoqërisë civile, konstatojmë me shqetësim se ndryshe nga pritshmëria dhe nevojat e reformës, dy muajt e fundit është vërejtur një ngadalësim i ndjeshëm i procesit të vettingut, në raport me ritmet dinamike që ky proces ka patur pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) në qershor e korrik të këtij viti”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre organizatave.

Përgjatë korrikut u zhvilluan 31 seanca. Shtatori rezulton muaji më “dembel” me vetëm një seancë, ndërsa në tetor u dëgjuan katër kandidatë.

Procesi i vettingut ka hyrë në muajin e tetë dhe shoqëria civile ngre si shqetësim se ngadalësimi i ritmeve vendos në një afat të pacaktuar kohor ngritjen e KLGj dhe KLP-së, dy organet kyçe që do të ngrenë më pas Strukturën e Posaçme Antikorrupsion dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Këto dy organe interpretohen si organet kyçe në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe ish-ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin dhanë si afat për ngritjen e KLGj-së dhe KLP-së vjeshtën e këtij viti.

Por, tani jemi në nëntor dhe edhe nëse KPK u kthehet ritmeve të korrikut, ngritja e këtyre institucioneve është praktikisht e pamundur dhe këtu nuk ndihmon as ritmi i shqyrtimeve në Komisionin e Posaçëm të Apelit.

“Gjatë muajit nëntor është risjellë në vëmendje rivlerësimi i kandidatëve të listës së përparësisë pasi 13 nga 29 vendimet e dhëna për kandidatët për në KLGJ dhe KLP janë ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Vetëm me dhënien e vendimeve të formës së prerë nga KPA do të përcaktohet nëse gjyqtarët dhe prokurorët në proces rivlerësimi do jenë, ose jo pjesë e sistemit të gjyqësorit dhe prokurorisë dhe për pasojë edhe të KLGJ-së dhe KLP-së”, thuhet në reagimin e shoqërisë civile.

Një tjetër shqetësim që ngrihet në këtë raport është edhe fakti se rreth një e treta e kandidatëve që kanë kaluar deri më tani këtë proces e kanë kaluar atë me “aftësi minimale profesionale”.

Problematikën e sallave e ngritur nga grupimet e shoqërisë civile ka marrë zgjidhje. Qeveria ka vendosur me anë të një VKM-je që të rikthejë komisionet e vettingut në ambientet e Pallatit të Kongreseve për të vazhduar aty seancat.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse me këtë zhvendosje do të marrë zgjidhje edhe problematika e dytë, që është ajo e ritmit të ngadaltë me të cilën ka ecur dy muajt e fundit ky proces.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë