Me procesin e vettingut që ka djegur dhe vazhdon të djegë prokurorë e gjyqtarë, sot Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese, e po ashtu në ngërç është edhe Gjykata e Lartë, ndaj lind e domosdoshme dhe urgjente nevoja për emërime të reja në sistemim e drejtësisë, që reforma parashikon të bëhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Por, të dy këto organe nuk janë ngritur ende dhe gjasat janë që të kërkojnë disa muaj kohë deri në kalimin e kandidatëve për anëtarë të tyre në sitën e rivlerësimit profesional, integritetit dhe pasuror, tri shtyllat e vettingut.
Në fillim të vitit, ekspertët ndërkombëtarë u përpoqën që t’i paraprijnë situatës dhe këshilluan ndërmarrjen e një norme tranzitore. Në fund të muajit prill, Shkolla e Magjistraturës, e ngarkuar me përgatitjen e brezave të rinj të prokurorëve dhe gjyqtarëve doli me një propozim konkret. Në të kërkohej ndryshimi i ligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, pasi ligji në fuqi, i miratuar në vitin 2016 si pjesë e reformës në drejtësi nuk lejon KLD dhe Prokurorin e Përgjithshëm që të emërojnë të sapodiplomuarit, pasi në atë kohë mendohej se ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë që do të mbushnin këtë boshllëk nuk do të vonohej. Ndryshimet ulin edhe numrin e Magjistratëve që duhen pranuar për këtë vit nga 50 në 25.

Ndryshimet në dukje janë thjesht proceduriale, por kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash, që PS e vetme nuk i ka. Në skenarin më optimist, të vetëm dhe me mbështetjen e Tom Doshit dhe të larguarve nga LSI, socialistë mund të shkojnë deri tek 79 votat, ndaj jozyrtarisht mësohet se kanë kërkuar ndihmën e ish-partnerit në qeveri, duke qenë se kjo forcë e ka votuar këtë ligj kur ishte në koalicon me ta.
Një qëndrim të prerë nga LSI nuk ka patur, por Nasip Naço, deputet i kësaj force politike dhe ish-ministër i Drejtësisë e dha një sinjal, të paktën përsa u përket kompetencave që i rikthehen përkohësisht KLD-së dhe Prokurorit të Përgjithshëm për të kryer emërime.
“Në mungesë të KLGJ dhe KLP kërkojnë që ne të kthehemi 180 gradë pas që t’i japim të drejtën Këshilli të Lartë të Drejtësisë. Unë personalisht dhe në emër të grupit të LSI nuk kam pranuar që të votoj pikën 1 të nenit 160, që t’i japim edhe njëherë mundësi KLD, këtij këshilli të anatemuar nga ne dhe ndërkombëtarët për emërime nepotike”, deklaroi ai.
Naço kundërshton edhe nenin që i jep këtë të drejtë Prokurorit të Përgjithshëm. Kundërshtinë e argumenton me mundësinë që kjo kompetencë të shfrytëzohet nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm për të emëruar persona që i garantojnë mbështetjen në KLP, kur ky organ të ngrihet për t’u rizgjedhur në këtë post”, tha ai.
Deputeti i LSI-së akuzoi mazhorancën se po i trembet reformës në drejtësi dhe po zvarrit ngritjen e KLP dhe KLGJ qëllimisht.
Për opozitën në seancën e kësaj të hëne më madhor ishte një tjetër shqetësim. PD dhe LSI folën njëzëri për votimin e së enjtes për çështjen e Teatrit Kombëtar. Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili bëri një kërkesë konkrete. Tha se votimi ishte i paligjshëm, pasi sipas tij, Vangjel Tavo ka rezultuar sikur ka votuar në një kohë kur nuk ishte i pranishëm në sallë.
“Është standard shumë i ulët, që vota u tjetërsua në Kuvend. Është e papranueshme që në këtë situatë ne të vijojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Për këto arsye ne nuk vazhdojmë dot së bashku deri kur të sqarohet situata dhe votimi të ribëhet”, tha ai.
Gjeti mbështetjen e kolegut demokrat.
“Unë mbështes qëndrimin e kolegut Vasili. Votimi i së enjtes ishte një akt i paprecedent. Rezultati i votimit u manipulua”, tha Edmond Spaho.
LSI thotë se kërkesën për rivotim e ka dorëzuar që të premten. Gramoz Ruçi thotë jo, por premton shqyrtimin e shqetësimit opozitar.
“Unë kërkesën sot e kam marrë, të shtunë dhe të diel nuk ka funksionuar administrata. I kam dhënë porosi administratës të shqyrtojë çështjen dhe të pastaj do të marr vendimin”, u shpreh ai.
Pak pas kësaj Kuvendi hapi kamerat në sallë dhe nga shqyrtimi i tyre, administrata nuk gjeti shkelje, pasi sipas saj, dy deputetë të LSI ndërruan kartën e deputetit Bitri me atë të Vangjel Tavos, i cili atë seancë mungonte. Në përfundim, votimi për ligjin për teatrin u quajt i rregullt dhe kërkesa e LSI-së e shqyrtuar.
Por, as kjo nuk e shmangu bojkotin opozitar që lë pezull një konsensus të mundshëm për ndryshimet në ligjin për prokurorët e gjyqtarët, që sipas mazhorancës do të shmangte zbrazjen e sistemit të drejtësisë dhe kolapsin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.