Politike

Vettingu, negociatat dhe zgjedhjet, Fleckenstein optimist

Diku nga dhjetori, Knut Fleckenstein do të paraqesë para Parlamentit Europian raportin e tij për progresin e Shqipërisë. Raporti tradicional ka një peshë jo të vogël në lidhje me vendimmarrjen për hapjen e negociatave në qershor apo jo.

Por, ku do të bazohet raportuesi për Shqipërinë në PE në raportin e vet? Në një intervistë dhënë për gazetaren Arta Tozaj në Bruksel, vetë eurodeputeti sqaron se pika e fortë është reforma në drejtësi, por nuk ngurron të identifikojë edhe fushat ku duhet bërë më shumë.

“Ne e njohim progresin e bërë për reformën në drejtësi dhe në fushat e tjera, por edhe do të vemë theksin mbi ato çështje, ku ne do të donim të shihnim më shumë përparim, siç është ende rasti për luftën kundër korrupsionit, njësoj për krimin e organizuar. Mbetet ende shumë për t’u bërë me të drejtën e pronës, ku duhet punuar më shumë për zbatimin e kësaj të drejte dhe sigurisht, që mbeten ende një sërë punësh të tjera për t’u kryer, por grupet politike këtu në Parlament kanë ndjeshmërinë se “Po, ata do t’ia dalin mbanë” dhe kjo përbën një bazë të mirë në bashkëpunimin tonë për një të ardhme të përbashkët”, deklaron ai.

Për Vettingun, Fleckenstein i qëndron bindjes së tij se po ecën mirë si proces dhe thotë se këtë bindje e kanë edhe eurodeputetët e tjerë të PE-së. Fleckenstein e pranon se ky proces nuk është perfekt, ndërsa nismën e opozitës për vettingun në politikë e quan sa unike, aq edhe interesante.

“Është diçka që nuk e kam dëgjuar kurrë më parë dhe mendoj se është një ide interesante, ndaj dhe unë po pres me padurim për vizitën e radhës në Shqipëri, në nëntor, për të pyetur vetë zotin Basha se çfarë fshihet aty, e se cili është këndvështrimi i tij mbi këtë problem. Mbase do të mund të mësoj diçka”, deklaron ai.

Duke iu rikthyer vettingut në drejtësi, eurodeputeti kërkon që të bëhet kujdes.

“Jo çdo gjykatës i pasur është kriminel dhe kjo çështje nuk është në dorën e politikanëve, por varet nga prokurorët”, vijoi ai.

Fleckenstein thotë se nuk e njeh në thelb ligjin për Teatrin Kombëtar dhe më shumë sesa debatit a duhet shembur apo jo i vjetri, i mëshohn transparencës dhe garës së drejtë e të barabartë për të gjithë në tender.

“E vetmja gjë me rëndësi për ne është që kjo të trajtohet me transparencë. Kjo nënkupton dhe një tender transparent, në mënyrë që jo vetëm ndonjë mik të kap diçka, por kjo të jetë e hapur për këdo që është i aftë të marrë pjesë në të. Përshtypja ime është se ky është tashmë rasti për Shqipërinë, pas korrigjimit të ligjit”, u shpreh ai.

Eurodeputeti ndan bindjen se në qershor, Shqipërisë do t’i hapet dera e bisedimeve.

“Komisioni ka nisur procesin ekzaminues dhe zbatimi i reformës në drejtësi vijon, prandaj besoj se nuk do të ketë vonesa për nisjen e negociatave në qershor të vitit tjetër”, deklaron Fleckenstein.

Megjithatë, në qershor asgjë nuk është e sigurtë. Fleckenstein e di këtë, por shton se nëse Brukseli merr një vendim tjetër nga ai i hapjes së negociatave, atëherë i humbet besueshmëria.

“Përndryshe nuk janë partnerë seriozë. Ata ishin shumë të qartë në deklaratë, kur u shprehën për zbatimin e reformës në drejtësi, nisjen e ekzaminimit prej Komisionit, madje ata e thonë edhe vetë aty “Qershor 2019”, prandaj tashmë duhet t’i qëndrojnë fjalës së tyre. Parlamenti Europian nuk do të mund të kuptonte një sjellje të ndryshme të Këshillit”, deklaron ai.

Eurodeputeti shprehet se është në kontakt me dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore dhe nga ato që ka mësuar prej tyre, vlerëson përpjekjet për realizimin e kësaj reforme.

Por, klima aktuale politike nuk premton që zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë të qeta, madje-madje vetë opozita ka dhënë sinjale që tani se edhe mund t’i bojkotojë ato nëse mazhoranca nuk kalon nismën e saj për vettingun politik. Fleckenstein, i cili ishte një prej zyrtarëve të Brukselit që harxhoi shumë energji në 2017 për të bindur Partinë Demokratike që të merrte pjesë në zgjedhje, tani duket i lodhur nga fjala bojkot.

“Oh jo prapë me këtë lloj diskutimi. Më ka ardhur pak në maj të hundës me këto “nuk shkoj në punë”, “nuk marr pjesë në zgjedhje”.. Kushdo që i ka këto ide, është ide e keqe. Nuk ka rëndësi, nëse është rasti për socialistët maqedonas, siç ishte pak kohë më parë, apo opozita këtej (Tiranë). Por unë nuk kam dëgjuar ende prej tyre se nuk do të marrin pjesë”, thotë Eurodeputeti.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë