Politike

Vettingu në politikë, “Venecia” shprehet në dhjetor për nismën e PD

Nisma e opozitës për Vettingun në politikë pritet të marrë rrjedhë tjetër në fund të këtij viti. Nënkryetarja e Kuvendit, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi deklaron se Komisioni i Venecias do të shprehet pas dy muajsh në lidhje me iniciativën e deputetëve të opozitës që parashikon ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim kryerjen e Vettingut në politikë.

Hysi gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar me përfaqësuesit e shërbimeve të lira si noterë apo përmbarues, si dhe me shoqatat e biznesit me qëllim për të diskutuar për nismën e opozitës zbuloi kohën se kur do të shprehen ekspertët ndërkombëtarë.

“Ne presim që Komisioni i Venecias të na sjellë opinionin në muajin dhjetor dhe këto seanca zhvillohen paralelisht në mënyrë që të kemi mundësinë të fitojmë kohë”, deklaroi nënkryetarja e Kuvendit, Hysi.

Në mbledhjen e sotme i pranishëm ishte deputeti i PD-së, Ervin Salianji. Demokrati në fjalën tij në këtë mbledhje kërkoi përshpejtimin e procesit dhe akuzoi mazhorancën për zvarritje të shqyrtimit të kësaj çështjeje, pasi sipas tij, socialistët synojnë ta çojnë në kalendat greke propozimin e opozitës.

“Është e qartë se mazhoranca nuk e do Vettingun e politikës dhe është e qartë se qytetarët shqiptarë duan njëherë e mirë, sidomos pas zbulimit të ngjarjeve të lidhjes së politikanëve me krimin, të shkëputen njëherë e mirë lidhjet e politikanëve me krimin. Ne si PD kemi kërkuar kontrollin e integritetit të politikanëve, të lidhjes së tyre me krimin dhe kontrollin e pasurisë së politikanëve. Këto nuk besoj se ka qytetar që i do. Nuk besoj se ka qytetar që nuk traumatizohet kur kryetar bashkie të zgjedhur nga PS thonë se "unë e njoh Niçen" dhe na i shesin si normalitet", tha ai.

Sipas tij, në 5 vite ato që ne kemi thënë si opozitë, sot po dalin qartazi të lidhur me krimin. "Atë që ne kemi kërkuar dhe kërkojmë me forcë sot, që gjenden në përgjimet e prokurorisë dhe përgjimet e partnerëve, këta zotërinj mund të dënohen siç ndodhi me ish-deputetët e PS, që tu vijë radha pas 5 vitesh apo edhe më shumë. Por ne kërkojmë që sot pa asnjë vonesë të bëhet kontrolli i integritetit dhe pasurisë së politikanëve, njësoj si me gjyqtarët dhe policët. Nuk ka më arsye pse politikanët të jenë të privilegjuar në këtë shoqëri. Nuk ka arsye për ta shtyrë në kalendat greke këtë proces”, theksoi  Salianji.

Deputeti i PD, Ervin Salianji duke folur në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit

Duke e lidhur e qëndrimin e tij me deklaratat e bëra nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako se njeh një pjesë të të arrestuarve nga banda Avdyli e Shijakut, Salianji theksoi se mazhoranca duhet të kërkonte falje sot për futjen sipas tij të kriminelëve në Parlament.

“Situata sot në Shqipëri është dramatike për shkak të revanshit të krimit ndaj institucionit dhe shtetit dhe përfshirjes së personave të lidhur me krimin, drejtpërdrejt në lidhje me qeverisjen. Vullneti i PD është vullneti i çdo qytetari. Ne duam të shkëpusim lidhjet e politikës me krimin, të bëjmë dekriminalizimin e zgjedhjeve dhe të bëjmë kontrollin me paketën Antimafia,  të çdo biznesi që ka përfituar në mënyrë të pandershme. Kështu që kërkoj të përshpejtohet ky proces, të mos bëjmë teatër me qytetarët duke thërritur në dëgjesa çfarëdo lloj marifeti vetëm për ta shtyrë dhe për ta futur në pafundësi zgjatjen dhe miratimin e Vettingut të politikanëve që sot e kërkon çdo qytetar shqiptar. Sot duhet të ishte dita kur ju si mazhorancë duhet të kërkonit ndjesë për ata përfaqësues që i keni futur në Parlament dhe sot dalin me lidhje të forta me krimin dhe kriminelët”, theksoi Salianji, i cili më pas u largua nga mbledhja.

Nisma e opozitës është paraqitur në muajin shtator, ndërsa Kuvendi me votat e socialistëve ka vendosur që ta shqyrtojë nga Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit, duke zhvilluar seanca dëgjimore me grupet e interesit përpara marrjes së një vendimi final.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi pas depozitimit të kësaj amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës nga opozita i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias, duke i paraqitur tetë pyetje ekspertëve të këtij institucioni.

Mes të tjerash në letrën e nisur me 3 tetor,  kërkohet opinioni për praktikat ndërkombëtare në kontrollin e figurës së të zgjedhurve. Gjithashtu kryeparlamentari kërkon që Venecia të shprehet nëse kjo iniciativë e opozitës bie ndesh me organet e reja të drejtësisë që do të krijohen si Byroja Kombëtare e Hetimit dhe prokuroria e posaçme, SPAK, që parashikojnë të hetojnë politikanët dhe zyrtarët e lartë.

Por, opozita është shprehur kundër dërgimit të projektligjit në Komisionin e Venecias dhe vendimi i maxhorancës u pa si një përpjekje për të zvarritur Vettingun në politikë dhe për të mos e pranuar.

Komisioni i Venecias pritet të mblidhet më 14 dhe 15 dhjetor, ku sipas deklaratës së dhënë nga socialistja Hysi do të japë mendimin për amendamentet e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës.

Ndërsa Kuvendi e mbyll sesionin në dhjetor, nëse dokumenti paraqitet në kohë mund të shqyrtohet gjatë këtij fundviti, në të kundërt nisma mund të shqyrtohet në mesin e janarit të vitit të ardhshëm, pasi kjo është periudha kur nisin punimet e sesionit të ri kuvendor.

Letra e kryeparlamentarit Ruçi për Venecian

Me anë të kësaj letre dëshiroj t’ju vë në dijeni se në Kuvendin e Shqipërisë, me nismën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim është depozituar projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.8417, datë 21.10 1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, i cili po shqyrtohet në Këshillin e Legjislacionit dhe në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Gjatë diskutimit të projektligjit, nisur nga rëndësia e tij, mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, vendosi t’i drejtohet dhe të kërkojë opinionin e ekspertëve të Komisionit të Venecias, nëse projektligji është në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane në këtë fushë.

Bazuar në këtë kërkesë, do të vlerësonim opinionin tuaj mbi çështjet e mëposhtme:

1) Cili është qëllimi i projektligjit për vettingun e politikës? A është ky një qëllim legjitim?

2) A është ndërhyrja në të drejtën për t’u zgjedhur e balancuar dhe në përputhje me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDN), në kuptim të parimit të proporcionalitetit dhe parashikimit me ligj”?

3) Cilat janë standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira lidhur me kontrollin e figurës së të zgjedhurve (deputetë/të zgjedhur vendorë)?

4) A ka dallim ndërmjet standardeve dhe kontrollit të figurës së gjyqtarëve/prokurorëve dhe të zgjedhurve (deputetë/të zgjedhur vendorë)?

5) A është ndërhyrja në të drejtën për mbrojtjen e reputacionit, në kuptim të nenit 8 të KEDNJ, e balancuar dhe në përputhje me standardet e KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDN?

6) A është ndërhyrja në të drejtat për një proces të rregullt ligjor (akses në gjykatë), në kuptim të nenit 6 të KEDNJ, në përputhje me standardet e KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ?

7) A janë formuluar nenet e projektligjit për Vettingun e politikës në mënyrë korrekte nga pikëpamja e teknikës së hartimit të një norme kushtetuese?

8) A mund të sjellin implikime, ndikim të papërshtatshëm apo edhe mbivendosje parashikimet e projektligjit për Vettingun e politikës në drejtim të zbatimit dhe efektivitetit të dispozitave që rregullojnë funksionimin e gjykatave të posaçme (neni 135/2 i Kushtetutës), Prokurorisë së Posaçme dhe Njësisë së Posaçme Hetimore (neni 148/4 i Kushtetutës), të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPI), ligji nr. 9367/2005), të institucioneve që merren me procesin e dekriminalizimit (ligji nr. 138/2015)?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë