Politike

Vettingu në politikë, Venecia: Ta zgjidhë Parlamenti, por mos ndryshoni Kushtetutën

Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit për të diskutuar mbi ndryshimet në Kushtetutë për Vettingun në Politikë ka rikthyer opozitën në Parlament. Pas disa muajsh bojkot, të gjithë anëtarët e opozitës në komision ishin prezent për të dëgjuar ekspertët konstitucionalistë të propozuar nga palët për Vettingun në politikë.
Mbledhja ka nisur me shpjegimin e ekspertëve të PS-së dhe PD-së për nismën e opozitës për Vettingun në politikë.
Më pas kryeparlamentari Ruçi bëri të ditur se Venecia ka nisur një opinion paraprak sa i përket nismës së opozitës mbi ndryshimin në Kushtetutë. “Si kryetar i Kuvendit më është nisur draft-opinioni paraprak i Komisionit të Venecias, deri më sot nuk është marrë vesh sepse është i papërkthyer, sepse nuk mbetet gjë pa u marrë vesh në këtë vend. Kam qenë në dilemë, ta vemi në dispozicion apo ta lemë? Tani jemi në mbledhje këtu, unë do t’i vë në dispozicion grupimeve politike kopjen përkatëse të draft-opinionit paraprak që ka ardhur nga Komisioni i Venecias”, deklaroi Ruçi në mbledhje.

Venecia vë në pikëpyetje draftin e opozitës
Opinioni i ndërmjetëm i Venecias mësohet se është 20 faqe dhe se e cilëson të ligjshme kërkesën e opozitës për Vettingun e politikanëve, por përcakton se vendimi përfundimtar i takon Parlamentit. Gjithashtu rrëzohet propozimi që të ndryshohet Kushtetuta, duke kërkuar që vettingu në politikë të parashikohet në ligjin për Dekriminalizimin.
“I takon Parlamentit shqiptar të vendosë mbi hapat e ardhshëm në lidhje me amendamentet kushtetuese përmes dialogut konstruktiv midis të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”, thuhet në rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Draft-opinioni i komisionit te Venecias mbi Vettingun në politikë


Në draft-opinion theksohet se duhen qartësuar mënyra sesi do të funksionojë vettingu në politikë, mekanizimin dhe trupën që do ta kryejë procesin. Ekspertët e Komisionit të Venecias shprehen qartazi se: “për shkak të rrethanave specifike aktualisht në Shqipëri, futja e një mekanizmi special verifikimi për zyrtarët publikë duket si një qëllim legjitim”.
Kjo duket të jetë mbështetje për iniciativën e opozitës për vettingun e politikanëve, sepse e konsideron verifikimin me qëllim shkëputjen e lidhjeve me krimin e organizuar, si një mjet legjitim dhe që justifikohet nga situata aktuale në Shqipëri.
Konkretisht, ekspertët e Komisionit të Venecias shprehen se: “Çështja e kontakteve të ngushta të anëtarëve të parlamentit, këshillit bashkiak ose zyrtarëve qeveritarë, me krimin e organizuar, janë një problem në Shqipëri. Siç tregojnë edhe rezultatet e para të procedurës së vettingut të gjyqësorit, ndërlidhja e institucioneve shtetërore me krimin e organizuar duket të jetë shumë e lartë. Kjo pengon besimin në institucionet e shtetit dhe delegjitimon funksionimin e tyre. Nëse krimi i organizuar është duke qeverisur institucionet shtetërore ose të paktën ka një ndikim në punën e tyre, parimet e shtetit ligjor nuk mund të zbatohen në praktikë. Në një shtet të qeverisur ose të ndikuar nga krimi i organizuar, parimet e dinjitetit, barazisë apo ligjshmërisë, janë lënë mënjanë”.
Komisioni i Venecias, ka risjellë në vëmendje konkluzionin e arritur në një çështje të ngjashme më parë sipas të cilit: “s’kualifikimi që anulon një mandat zgjedhor nuk duhet të konsiderohet si kufizim i demokracisë, por si një mjet për ta ruajtur atë”.

Këshilli për Legjislacionin i mbledhur sot, të pranishëm ishin dhe deputetët e opozitës


Komisioni i Venecias ngre çështje që duhen adresuar me amendamentet kushtetuese të opozitës, duke pasur si shqetësim kryesor që masat kundër zgjedhjes apo ndërprerja e mandatit të jetë në proporcionalitet me realitetin politik.
“Pa vënë në pikëpyetje qëllimin legjitim të pastrimit të klasës politike shqiptare - dhe me të vërtetë duke mbajtur një mendje të hapur për nevojat për mjete të mëtejshme legjislative - Komisioni vëren se ndryshimet e propozuara nuk hyjnë në një vakum ligjor. Kushtetuta e Shqipërisë është ndryshuar në shumë pjesë për të krijuar baza më të mira për të luftuar korrupsionin, jo vetëm në fushën e gjyqësorit, por edhe në lidhje me qytetarët e tjerë, përfshirë politikanët (shih nenet 6/1, 45 (3) dhe nenin 179 / a të Kushtetutës). Ligji për Dekriminalizimin u miratua me qëllim të sigurimit të besimit në institucionet publike dhe në administratën publike, si një ndjekje legjislative e nenit 6/1 të Kushtetutës, që përmban kriterin e integritetit si parakusht për qasjen ose ushtrimin e funksionit publik. Janë miratuar një sërë ligjesh të tjera përkatëse, të cilat kanë rëndësi edhe për zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar. Për më tepër, si pjesë e reformës së drejtësisë, disa institucione të reja janë futur (megjithëse ende jo operative) ndaj sistemit shqiptar: midis tyre, Prokuroria Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve”, thuhet në raportin e Venecias, siguruar nga Gazeta “Si”.
Nisma për Kushtetutën e propozuar nga PS dhe LSI rrëzohet në Venecia, pasi ekspertët theksojnë se kjo vë në pikëpyetje Kushtetutën. “Për më tepër, duke pasur parasysh nenet ekzistuese të neneve 6/1, 45 (3) dhe 179 / a të Kushtetutës Shqiptare dhe legjislacionit përkatës zbatues (në veçanti Ligjin e Dekriminalizimit), si dhe mekanizmave të tjerë demokratikë në dispozicion, vlera e amendamenteve të propozuara kushtetuese mund të vihet në pikëpyetje”, thuhet në 97 të konkluzionit të draftit të ndërmjetëm.

Komisioni i Venecias mbyll raportin duke nënvizuar se është Parlamenti i Shqipërisë që duhet të vendosë, përmes dialogut politik mes të gjitha forcave politike dhe shoqërisë në shkallë të gjerë, në interes të demokracisë shqiptare.

Ekspertët e Komisionit të Venecias gjatë takimit në Tiranë me përfaqësuesit e PD-së

Raporti i ndërmjetëm është hartuar nga ekspertët Veronika Bilkova; Jørgen Stën Sørensen; Oliver Kask; James HAMILTON dhe Hanna Suchocka. Këta ekspertë patën zhvilluar më parë takime në Shqipëri me 19 dhe 20 nëntor me përfaqësuesit të partive politike, PS, PD, LSI, me presidentin Ilir Meta dhe me aktorë të tjerë të grupeve të interesit. Qëllimi i vizitës së tyre ishte njohja me procesin e
Më 14-15 dhjetor do të mbahet mbledhja e Komisionit të Venecias. Kuvendi, nëpërmjet këshillit të Legjislacionit vendosi që të dërgojë përfaqësues nga tre grupimet kryesore në këtë mbledhje. Nga PS-ja do të jenë Ulsi Manja, Vasilika Hysi dhe Klotilda Ferhati, ndërsa nga Partia Demokratike do të jenë Oerd Bylykbashi dhe Gazmend Bardhi. Lëvizja Socialiste për Integrim ka vendosur që të dërgojë deputeten Silva Caka. Kryeparlamentari Ruçi kërkoi që të premten të zhvillohet mbledhja e radhës për të mos shkelur afatet kushtetuese për shqyrtimin e nismës, duke kërkuar që relatorët të hartojnë raportin. Por deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj theksoi se nisma është gati për t'u votuar, pavarësisht se e keni çuar çështjen drejt kalendave greke."Respektuam edhe ekspertët e komisionit të Venecias, ia shpjeguam shumë qartë për atë çfarë ka nevojë vendi për nevojën ulëritëse, për dramën e madhe që ka kapluar vendi. Ia kemi dhënë zgjidhjen kërkohet vetëm një gjë të votohet amendamenti kushtetuese një orë e më parë", deklaroi Alibeaj.

Faksimile i rekomandimeve të draft-raportit të Venecias

Raporti Konkluzionet e Komisionit të Venecias

  1. Megjithë qëllimin e ligjshëm në situatën aktuale në Shqipëri – distancimi nga ofenduesit dhe ndikimi i tyre në qeverisjen e profilit të lartë dhe jetën politike – drafti i propozuar kushtetues për kontrollin e integritetit të politikanëve nuk arrin të ofrojë udhëzime të përshtatshme dhe masat mbrojtëse të nevojshme, madje edhe në nivelin kushtetues, për një shkallë të tillë të madhe, komplekse dhe të ndjeshme, me implikime të rënda për të drejtat e atyre që i nënshtrohen. Sa i përket konceptimit të tij aktual, vetingu i propozuar nuk ka qartësi ligjore dhe siguri ligjore, si për sa i përket qëllimit të tij, arsyet për moszgjidhje dhe humbjen e mandatit, dhe mekanizmin e zbatimit të tij. Në shumë aspekte, ai gjithashtu ngre çështje të proporcionalitetit.
  2. Projektligji nuk arrin të përcaktojë elemente të caktuara kryesore, veçanërisht (i) se çfarë nënkuptohet pasja e kontaktit me persona të caktuar (ii) çfarë nënkuptohet me përfshirje në krimin e organizuar dhe (iii)çfarë nënkuptohet me përfshirje në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me personat.
  3. Është e paqartë se cilat dispozita duhet të udhëheqin procedurën e verifikimit. Mungesa e deklaruar (përveç kërkesës për një shumicë prej 3/5) në një propozim që gjithsesi në disa vende janë mjaft të detajuara, së bashku me futjen e propozuar të dy dispozitave kryesore në Kushtetutë si "masë e jashtëzakonshme" krijojnë mundësinë e moszbatimit të procesit të rregullt, të duhur ligjor, pra që procedurat të mos zbatohen.
  4. Nuk është e qartë se kush do të kryejë verifikimin e zyrtarëve publikë dhe kandidatëve zgjedhorë dhe nëse kjo do të bëhet nga një organ gjyqësor ose një organ tjetër i pavarur. Gjithashtu, nuk është e qartë nëse çdo skualifikim duhet të jetë i përhershëm ose i kufizuar në kohë. Në këto aspekte siguria ligjore mungon. Përveç kësaj, nuk janë propozuar masa mbrojtëse për të shmangur rrezikun që do të përdoret në një politikisht i njëanshëm ose arbitrar.
  5. Në kërkesën e tij për zyrtarët e zgjedhur, projektligji nuk është në përputhje me Nenin 3 të Protokollit të Parë të KEDNJ-së dhe Kodi i Praktikës së mirë në çështjet zgjedhore,si terreni i propozuar i ri - duke pasur kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar- ofron një mundësi shumë të gjerë për të kufizuar të drejtën për të qëndruar në zgjedhje pavarësisht nga natyra e "kontakteve", nuk parashikon një vendim gjyqësor ose një vendim nga një tjetër organi i pavarur për heqjen e lirisë dhe kufizimit nuk ka një natyrë të përkohshme. Siç duket, propozimi në të vërtetë mund të çojë lehtësisht në më shumë shembuj të abuzimit me pushtetin.
    95 .Për sa kohë që verifikimi ka për qëllim të zbatohet ndaj zyrtarëve të pazgjedhur, pasiguria rreth qëllimit të tij dhe skema e zbatimit e bëjnë të vështirë të shihet si të zbatueshëm Neni 6 KEDNJ të drejtat do të garantohen nga projekt-amendamentet kushtetuese nëse miratohen në këtë formë.
  6. Këto paqartësi gjithashtu e bëjnë të pamundur që Komisioni i Venecias të gjykojë nëse propozimi mund të konsiderohet një përgjigje proporcionale ndaj asaj që padyshim është vërtet problem në Shqipëri.
  7. Për më tepër, merren parasysh dispozitat ekzistuese të neneve 6/1, 45 (3) dhe 179 / a të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të legjislacionit përkatës zbatues (në veçanti Ligji për Dekriminalizimin), si dhe mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion, ligjet e shtuara vlera e amendamenteve të propozuara kushtetuese mund të vihet në pikëpyetje.
  8. I përket Parlamentit shqiptar të vendosë për hapat e ardhshëm në lidhje me propozimin ndryshimet kushtetuese, përmes dialogut konstruktiv midis të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare.
  9. Komisioni i Venecias mbetet në dispozicion të autoriteteve shqiptare për ndihmë të mëtejshme në këtë çështje.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë