Politike

Vettingu në politikë, PD zhvendos betejën në Venecia

Beteja për Vettingun në politikë mes mazhorancës dhe opozitës do të zhvendoset në mbledhjen e 14 dhjetorit në Komisionin e Venecias.
Drafti paraprak i dalë nga komisioni i Venecias, për socialistët komentohet si një fitore e tyre, duke e cilësuar si një rrëzim të nismës së PD nga argumentet e parashtruara në opinionin e ndërmjetëm.
Për kryekomisionerin Ulsi Manja raporti i Venecias është i qartë ku shprehet se “Pa vënë në dyshim qëllimin legjitim për të pastruar klasën politike shqiptare – dhe duke qenë mendjehapur ndaj nevojave për mjete të tjera legjislative – Komisioni vëren se amendamentet e propozuara nuk vijnë në kushtet e një vakuumi ligjor”. Pra duke nënkuptuar se për socialistët ai është rrëzuar.


Eksperti i ligjor i PD-së, Gazmend Bardhi në një prononcim për Gazetën SI shprehet se draft-raporti i Venecias pranon nismën e opozitës duke e cilësuar si legjitime.
"Ekspertët e Komisionit të Venecias, shprehen qartazi se: “për shkak të rrethanave specifike aktualisht në Shqipëri, futja e një mekanizimi special verifikimi për zyrtarët publik duket si një qëllim legjitim”. Kjo duket të jetë mbështetje e fortë për iniciativën e opozitës për vettingun e politikanëve, sepse e konsideron verifikimin me qëllim shkëputjen e lidhjeve me krimin e organizuar, si një mjet legjitim dhe që justifikohet nga situata aktuale në Shqipëri", deklaroi Bardhi.

Sipas tij, konkretisht, ekspertët e Komisionit të Venecias shprehen se: “Çështja e kontakteve të ngushta të anëtarëve të Parlamentit, këshillit bashkiak ose zyrtarët qeveritare, me krimin e organizuar, janë një problem në Shqipëri. Siç tregojnë edhe rezultatet e para të procedurës së vettingut të gjyqësorit, ndërlidhja e institucioneve shtetërore dhe krimi i organizuar duket të jetë shumë i lartë. Kjo pengon besimin në institucionet e shtetit dhe delegjitimon funksionimin e tyre. Nëse krimi i organizuar është duke qeverisur institucionet shtetërore ose të paktën ka një ndikim në punën e tyre, parimet e shtetit ligjor nuk mund të zbatohen në praktikë. Në një shtet të qeverisur ose të ndikuar nga krimi i organizuar, parimet e dinjitetit, barazisë apo ligjshmërisë, janë lënë mënjanë”
Për ish-ministrin e Drejtësisë, Bardhi çështjet e ngritura nga ana e ekspertëve të Komisionit të Venecias mund të rregullohen me miratimin e ligjit të ri për Vettingun në Politikë.
"Të gjitha problematikat e evidentuara në opinion, janë të natyrës teknike dhe që do të marrin adresimin e duhur në ligjin zbatues për vettingun e politikanëve. Ne presim, miratimin pa asnjë ndryshim të draft Opinionit të Komisioni të Venecias në mbledhjen e datës 14 Dhjetor", përfundoi Bardhi. 

Faksimile e dokumentit të Komisionit të Venecias, draft-raporti për Vettingun në politikë

Edhe për Petrit Vasilin përfaqësuesin e LSI-së, Venecia në draftin paraprak ka mbështetur idenë e një vettingu në politikë.

“Komisioni i Venecias konfirmon qartë e zeza mbi të bardhë që krimi ka pushtuar shtetin dhe ka bërë që qytetaret të humbasin besimin te institucionet dhe nevoja për vetting të politikës është plotësisht legjitime. Megjithatë për të mos u lënë shkas përkthyesve bajatë të qeverisë nga shqipja në shqip, që të shtrembërojnë të vërtetat, po ju sjell ç'thonë ekspertët e Venecias në ligjeratë të drejtë: "Nga takimet (shkëmbimet e mendimeve) e ndryshme që patën Raportuesit gjatë vizitës në Shqipëri, duket qartë se ekziston vërtet një problem i kontakteve të papërshtatshme midis politikanëve dhe elemente kriminale”, reagoi Vasili gjatë në komenti në Facebook.
Vasili ishte i pari që foli ndaj këtij draft-raporti, nxjerr si kartë pro vettingut në politikë edhe një pjesë tjetër nga dokumenti prej 20 faqesh i hartuar nga ekspertët e huaj sa i përket lidhjeve të botës së krimit me zyrtarët qendrorë apo vendorë.

Në të ekspertët e Komisionit të Venecias shprehen se: “Çështja e kontakteve të ngushta të anëtarëve të parlamentit, këshillit bashkiak ose zyrtarët qeveritare, me krimin e organizuar, janë një problem në Shqipëri. Siç tregojnë edhe rezultatet e para të procedurës së vettingut të gjyqësorit, ndërlidhja e institucioneve shtetërore dhe krimi i organizuar duket të jetë shumë i lartë. Kjo pengon besimin në institucionet e shtetit dhe delegjitimon funksionimin e tyre. Nëse krimi i organizuar është duke qeverisur institucionet shtetërore ose të paktën ka një ndikim në punën e tyre, parimet e shtetit ligjor nuk mund të zbatohen në praktikë. Në një shtet të qeverisur ose të ndikuar nga krimi i organizuar, parimet e dinjitetit, barazisë apo ligjshmërisë, janë lënë mënjanë” dhe se “skualifikimi që anulon një mandat zgjedhor nuk duhet të konsiderohet si kufizim i demokracisë, por si një mjet për ta ruajtur atë”.

Ndërsa mësohet se në mbledhjen e parashikuar më 14 dhe 15 dhjetor të Komisionit të Venecias opozita do të paraqesë me argumente pretendimet e saj, duke shpresuar që opinioni final të jetë sa më në favor të nismës së tyre për realizimin e Vettingut në Politikë.

Në këtë mbledhje ndryshe nga herët e tjera do të ketë prezencë të madhe të përfaqësuesve të partive politike shqiptare. Delegacioni parlamentar shqiptar përbëhet nga 6 veta, tre deputetët e PS-së, Ulsi Manja, Vasilika Hysi dhe Klotilda Bushka. Ndërsa opozita do të përfaqësohet nga Oerd Bylykbashi, Gazmend Bardhi si përfaqësues të PD-së dhe Silva Caka nga ana e LSI-së.
Përpara se të zhvillohet debati në komisionin e Venecias, Kuvendi ka parashikuar dhe një mbledhje të Komisionit të Ligjeve dhe të Këshillit të Legjislacionit të premten ku relatorët do të paraqesin qëndrimet e tyre në lidhje me nismën e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës.
Vasilika Hysi është propozuar si relatore nga PS-ja, ndërsa Oerd Bylykbashi është përfaqësues i PD-së që do të relatojë mbi nismën për ndryshimet kushtetuese. Normalisht relatorët duhet të dalin me një raport të vetëm, por eksperienca ka treguar se kur ka përplasje mes palëve, kanë paraqitur dy raporte të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë