Politike

Vettingu në politikë, PD: S’ka negociata. Po ose jo!

Opozita u rikthye në godinën e Kryesisë së Kuvendit, por jo për të respektuar planin e punimeve të Parlamentit, por për të çuar edhe më tej nismën e saj për vettingun e politikanëve.

Për këtë nismë, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë ngritur një grup pune. Ky grup pune u mblodh paraditen e së martës dhe me aq sa u kuptua nga deklarata që bëri para mediave, deputeti demokrat, Ervin Salianji, as PD nuk pret negociata me PS për këtë temë, por vetëm një përgjigje të shkurtër.

“Ne mund të gjejmë çdo hapësirë proceduriale për ta votuar sa më shpejt këtë projektligj. Mjafton një “Po” ose “Jo”. Do ose jo vetting të politikanëve. Nuk ka negociata, ka vetëm votim po ose jo”, deklaroi ai.

Opozita thotë se projektligji i saj do të pastronte politikën, ashtu si vettingu në sistemin e drejtësisë, pra në tre shtylla, atë të pasurisë, integritetit dhe aftësisë profesionale.

Por, mazhoranca e interpreton këtë si një përpjekje për të deformuar vettingun e vërtetë. Sipas socialistëve, një ligj i tillë për pastrimin e politikës nuk është i nevojshëm, pasi pastrimi i saj bëhet nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

“Këta po bëjnë një përpjekje për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, ndërkohë që ne prej ditës së parë kemi mbështetur SPAK-un dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, të cilat janë dy institucione tërësisht të pavarura nga politika, të vetmet që mund të bëjnë një hetim dhe ndëshkim të korrupsionit 27-vjeçar në Shqipëri”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar të PS-së,Taulant Balla, pas mbledhjes së zhvilluar me deputetët e partisë së tij.

Sipas Ballës, opozitarët duan të zhvlerësojnë rolin që pritet të marrin dy organet e reja, që nuk janë ngritur ende. Megjithatë, socialistët nuk përjashtojnë negociatat, edhe pse ndajnë bindjen se nisma e PD është përpjekje për të shmangur institucionet e reja.

Taulant Balla dhe Edmond Spaho

“Ne jemi të gatshëm të zhvillojmë çdo bashkëbisedim. Kam kërkuar një takim me kreun e grupit të PD-së, Edmond Spaho për të diskutuar formalitetet, përmbajtjen dhe sigurisht për të ardhur në një draft të përbashkët më të plotë. Por, këtu jemi përballë me kushtin e vetëm: Reforma në Drejtësi dhe ngritja e institucioneve të reja të SPAK-ut dhe BKH-së të mos preken. Pra, që vettingu në drejtësi të mos jetë objekt i negociatave”, u shpreh Balla.

Deputeti tjetër socialist, Bledi Çuçi sqaron më tej pozicionimin e shumicës. “Nëse gjendet një mekanizëm që u vjen në ndihmë strukturave të SPAK dhe BKH dhe jo të deformojë Reformën në Drejtësi, është i mirëpritur konsensusi me demokratët”, deklaroi ai për televizionin Klan.

Sot, as SPAK dhe as BKH nuk janë ngritur ende. Që të dyja këto institucione konsiderohen si institucionet kyçe të gjithë reformës në drejtësi dhe ato që do të hetojnë dhe ndëshkojnë zyrtarët e lartë të korruptuar.

Që të ngrihet SPAK dhe BKH duhet që më parë të vihen në funksion Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Dy institucionet që sipas reformës në drejtësi do të kenë në dorë emërimet e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Për si për KLGJ, ashtu edhe për KLP disa kandidatura u dogjën nga procesi i vettingut, çka pasoi në rihapjen e garës për to.

Sot, socialistët këmbëngulin në moscenimin e vettingut në drejtësi dhe përfundimin e këtij procesi, një proces që nga opozita akuzohet se po zbaton standarde të dyfishta dhe për pastrimin e klasës politike propozon një ligj të veçantë, që Oerd Bylykbashi e quan “Dekriminalizimi, version 2.0”.

“Ligji i Dekriminalizimit, që është një lloj vetingu, largon kriminelët e dënuar nga Parlamenti, qeveria dhe gjyqesori. Rama u kap gafil me shpurën e kriminelëve që futi në institucione. Por, ndërroi taktikë; zëvendësoi kriminelin me bedelin. Në vend të kriminelit, ai tani ka futur në institucione fëmijën, kushëririn, apo ushtarin e bindur të kriminelit. Ndaj, me vetingun e lidhjeve të politikanëve me krimin, duhet rrëzuar tuneli i nëndheshëm që lidh politikën me krimin, atë tunel të errët ku të dyja palët bëjnë pazare qeverisjeje”, deklaron ai.

https://www.facebook.com/oerd.bylykbashi/posts/10217215683293616?tn=K-R

Deputeti demokrat shprehet mosbesues se këtë pastrim mund ta bëjnë SPAK dhe BKH.

“Për ata që thonë se një politikan i korruptuar është më i rrezikshëm se një politikan që ka marrëdhënie me krimin e organizuar, pra i ka hapur derën e qeverisjes krimit të organizuar, u them që ky është palaçollëk! Të dy kriminelë janë, por është njësoj si të thuash që hajduti është më i rrezikshëm se mafiozi”, shprehet Oerd Bylykbashi në një postim në rrjetet sociale. ‎


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë