Politike

Vettingu në politikë, Patozi: “Venecia” do e rrëzojë draftin e PD

Ish-deputeti demokrat Astrit Patozi, parashikon se Komisioni i Venecias do të kthejë një përgjigje negative lidhur me propozimin e PD-së, për Vetingun në politikë.

Në një postim të gjatë në “Facebook”, ish-zyrtari i lartë demokrat shkruan se në rast të një “refuzimi”, kryedemokrati Basha duhet të kthehet në Parlament i çarmatosur.

“Intuita më thotë se përgjigja do të jetë negative dhe kërkesa do të konsiderohet e ekzagjeruar. Dhe nëse kjo ndodh, Lulzim Bashës nuki mbetet shumë për të thënë, por i duhet që të bënte një zgjedhje të vështirë, mu në kulmin e retorikës së vet kundër qeverisë së kriminalizuar, - thotë Patozi. - Normalisht, do t’i duhet të kthehet me kokën ulur në parlament, duke mos e vënë në dyshim autoritetin dhe besueshmërinë e Komisionit të Venecias, si një tempull i shenjtë i drejtësisë perëndimore, të cilin ende palët politike nëShqipëri nuk kanë guxuar ta përbaltin. Sepse do të ishte krejtësisht epapërligjur çdo arsye tjetër që mund të dilte rrugës, e cila thjeshtë do taekspozonte propozimin për vettingun në politikë, jo si një kauzë serioze, por si pretekst për ta mbajtur artificialisht opozitën jashtë Parlamentit”.

Nga ana tjetër, Patozi shpjegon se ka shumë pak mundësi që Komisioni i Venecias të shprehet pro draftit të PD-së.   

“Mirëpo, në kushtet e marrëzisë politike pa limite, nuk përjashtohet edhe mundësia që opozita zyrtare të mos e ndryshojë shenjestrën e vet, por të këmbëngulë tek vettingu si një e drejtë themelore e saj, pa të cilin nuk mund të ketë as paqe dhe as zgjedhje në Shqipëri, edhe pas refuzimit të Komisionit të Venecias. Atëherë do të dëgjoni oratorë politikë dhe filozofë të tjerë të sulmojnë pa mëshirë Europën e blerë nga paratë e krimit dhe të drogës. Do të lexoni sovranistë të çartur, të cilët do të zbulojnë konspiracione të forta kundër popullit shqiptar, që përfaqësohet vetëm nga Luli, dhe do t’u duket vetja tamam sikur të ishit brenda në çadrën e “Republikës së Re” gjatë vitit të shkuar”.

Sipas Patozit, Lulzim Basha është në siklet të madh, “sepse do t’i duhet që të zgjedhë mes dy zjarresh. Ose të kthehet i çarmatosur në parlament dhe të presë një ditë më të mirë, ose të marrë pushkën e të shkojë si trim i vetëm në një luftë, që e ka të përcaktuar fundin. Është një nga ato rastet tipike, kur provohet ajo shprehja “hip se të vrava, zbrit se të vrava”, - është komenti i ish-deputetit.

Në fillim të kësaj legjislature të Parlamentit, opozita kërkoi që të miratohen ndryshimet kushtetuese që të mundësojnë vetingun në politikë. PD e mbështeti kërkesën e saj duke theksuar se duhet një pastrim i politikës nga krimi i organizuar dhe korrupsionit, pasi,sipas saj, këta elementë kriminalë janë të lidhur me qeverinë.

Por, kërkesa e propozuar nga Partia Demokratike nuk mori pëlqimin e menjëhershëm të maxhorancës. Në qëndrimin e saj të parë, maxhoranca u shpreh se hetimin e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë, nëse kanë lidhje me krimin e organizuar, do ta bëjnë institucionet e reja të drejtësisë.

Konkretisht, sipas tyre, ngritja e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit do të bëjë të mundur hetimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë. Por, gjithsesi, Partia Socialiste nuk e tha fjalën e fundit, duke miratuar vendimin që kërkesa e opozitës për vetingun e politikanëve të shqyrtohet edhe nga Komisioni i Venecias dhe mbi bazën e qëndrimit të ndërkombëtarëve do të vijojë edhe axhenda e shqyrtimit të nismës së PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë