Politike

Vettingu në politikë i çohet “Venecias”, PD: Duam të njohim dosjen

Bledar Hoti – Nisma e opozitës për Vetting në politikë është dërguar në Komisionin e Venecias për mendim. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi deklaroi në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit të Ligjeve se i është drejtuar me shkresë zyrtare Komisionit të Venecias për dhënien e opinionit për nismën e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës që parashikon Vettingun në politikë.

Në këtë ballafaqim të dytë nga opozita ishte vetëm deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi. Demokrati u shpreh mosbesues ndaj deklaratës së lëshuar nga kryeparlamentari Ruçi, duke kërkuar që t’i vihet në dispozicion materiali i dërguar në Venecia.

“Duke nisur dhe nga eksperiencat e mëhershme ku komisioni i Venecias është drejtuar qëllimshëm nëpërmjet materialeve të përkthyera gabim apo pyetje të cilat mund të mos i përgjigjen fare çështjes  kërkoj të na vihet në dispozicion materiali i nisur Komisionit të Venecias. Lidhja krim-politikë dhe lidhja e interesave kriminele me interesat politike”, deklaroi Bylykbashi.

Në këtë mbledhje deputeti i PS-së, Ulsi Manja u shpreh se mazhoranca është “pro” Vetting-ut në politikë dhe këtë vullnet e ka treguar në rastin e ligjit për dekriminalizimin dhe në mbështetjen e krijimit të institucioneve të posaçme për të luftuar korrupsionin.

“Ne si mazhorancë e kemi shprehur qëndrimin tonë: a qenë është dhe do të jetë në mbështetje të çdo lloj Vetting-u të politikës dhe këtë e kemi demonstruar me votë, kur ndryshuam Kushtetutën për dekriminalizimin. Jemi për pastrimin e politikës dhe për këtë kemi mbështetur institucionet e posaçme për të luftuar korrupsionin. Bëhet fjalë për të ndërhyrë në Kushtetutë, e kemi marrë në konsideratë nismën e opozitës, por kërkuam një diskutim të gjerë nga ekspertë të fushës, por pse jo edhe marrja e opinionin nga Komisioni i Venecias. “Venecia” është tabani i demokracisë. Jemi dakord me pyetjet, që të depozitohen me shkrim ekspertëve”, u shpreh  socialisti Manja.

Gjatë mbledhjes u ra dakord që pyetjet drejtuar ekspertëve konstitucionalistë nga opozita dhe mazhoranca të depozitohen me shkrim në sekretari.

Bylykbashi u shpreh se nisma ligjore e opozitës nuk pengon procesin e Reformës në Drejtësi, por sipas tij kjo është një nismë që plotëson ligjin e Dekriminalizimit.

“Vetting-u është një proces krejtësisht i shkëputur dhe i pavarur nga Vetting-u në drejtësi. Ai nuk ka asnjë lidhje dhe apo ndikim negativ apo pengesë për Vetting-un në drejtësi. Vetting-u i politikanëve nuk përjashton dhe nuk ka asnjë ndikim për hetimet penale të politikanëve dhe njerëzve të lidhur me ta, nga çdo lloj institucioni hetimi qoftë nga prokuroritë e rretheve qoftë nga prokuroria e sotme e krimeve të rënda apo SPAK dhe BKH kur ato të krijohen. Përkundrazi, ky proces u jep burime dhe raste hetimi këtyre institucioneve”,  tha Bylykbashi, duke shtuar se pyetjet në lidhje me këtë çështje opozita do t’i depozitojë në sekretarinë e komisionit për ekspertët, në mënyrë që këta të fundit të japin përgjigjet e tyre.

Kryetari i Kuvendit  gjatë fjalës së tij kërkoi që të merren masat për çështjen dhe të nisë puna pa humbur kohe me seancat dëgjimore, që kur të vijë dita për t’u diskutuar nisma në parim dhe nen për nen të kemi edhe mendimin e ekspertëve konstitucionalistëve edhe opinionin e komisionit të Venecias.

Opozita ka qenë kundër dërgimit të nismës së saj për dhënie mendimi nga Komisioni i Venecias, pasi pretendon se maxhoranca po synon ta shtyjë drejt kalendave greke këtë çështje.

“I gjithë procesi në këtë komision ka pikërisht këtë qëllim. Të vonojë, shtyjë dhe hedhë poshtë vetting-un e politikanëve. Shqiptarët e mbështesin vetting-un e politikanëve. Edi Rama ka deklaruar publikisht se është kundër. Ju po bëni dhe do të bëni gjithçka për ta zvarritur, por nuk do ta ndalni dot vetting-un e politikanëve. Siç nuk ndalët dot dekriminalizimin. Ne jemi të vendosur dhe do të bëjmë gjithçka për ta zbatuar. Në këtë vend nuk do të ketë as zgjedhje, as demokraci, as Parlament, as drejtësi, as ekonomi, pa ndarë politikën nga krimi”, deklaroi Bylykbashi.

Ndërkohë që Komisioni i Venecias pas marrjes së draftit të përkthyer nga ana e Kuvendit, pritet ta shqyrtojë me ekspertët e saj. Ky organizëm që është në në varësi të Këshillit të Europës mblidhet katër herë në vit. Ndërsa parashikohet që drafti mund të shqyrtohet në muajin dhjetor, ose në muajin mars, kjo varet nga axhenda që programohet nga Komisioni i Venecias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë